Ndërsa ditën e nesërme pritet që SPAK të ketë drejtuesin e tij të ri, në studion e emisionit “Open”, biseda është përqëndruar pikërisht në këtë çështje, si dhe tek përplasja që ka pasur kohët e fundit kryeministri Edi Rama me ambasadoren Yuri Kim.

Analisti Fatos Lubonja, u shpreh se Rama nuk mund të ndërhyjë në zgjedhjen e kreut të SPAK apo të bëjë deklarata, pasi është në konflikt interesi, ndërsa po ashtu tha se Yuri Kim nuk ka respektuar shtetin e së drejtës dhe ligjet, sa i takon mosndërhyrjes së ambasadorëve.

Në analizën e tij, Lubonja thotë se ndoshta përplasja që duket se ekziston mes Ramës dhe ambasadores, mund të bëhet për të mbuluar ndonjë skandal të kryeministrit.

“Rama është në konflikt interesi, mbaron historia. Sa i përket ambasadores, ajo nuk ka respektuar shtetin e të drejtës dhe ligjet ndërkombëtare në Shqipëri, të mos ndërhyrjes së ambasadorëve, pra nuk ka dhënë ndonjë shembull se dashuron demokracinë. Më shumë ka treguar dashuri për PS, dhe në këtë aspekt e vë në dyshim këtë këmbëngulje, pra a është kjo siç shpresojnë një pjesë e shqiptarëve, që ShBA do të bëjë drejtësi por s’na lë Rama, kështu që në rastin më të mirë të vogël, do të thoja se më këtë zgjedhje amerikanët mund të duan të ruajnë ndonjë imazh që reforma nuk është e kapur, ju duhet ndonjë proces që ta shesin sikur drejtësia po funksionon në Shqipëri.

Në rastin më të mirë, duan të ruajnë imazhin, ose ndonjë gjë tjetër, që duan njerëz që i kontrollojnë ata, që ta kenë nënë kontroll drejtësinë, për arsye që i dimë dhe nuk i dimë.

Nga ana tjetër mund të mendoj se është fryrë ky konflikt për të mbuluar ndonjë skandal tjetër që mund të ketë Rama, se për ndryshe ambasadorja duhej të ishte më transparente. Pra nëse ka ndërhyrje, kush janë ata? Çfarë provash kanë ata që po ndërhyn? Sepse nuk merret vesh se kush po ndërhynë”, tha Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb