Tensionet e ashpra gjatë përplasjes mes gazetarit Almer Toska dhe Agron Tares në emisionin “Minuta e Parë” në News24 janë përshkallëzuar më tej me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në lidhje telefonike të Auron Tares.
Përplasja nisi pasi Almer Toska ngriti hije dyshimi mbi një projekt të kryer nga Auron Tare në Portin e Durrësit në kohën kur vëllai i tij, Agron Tare, mbante postin e drejtorit të portit, duke pyetur publikisht se përse ky projekt u realizua pikërisht në atë periudhë.
“Auron Tare ka bërë një projekt në Portin e Durrësit kur vëllai i tij, Agron Tare, ishte drejtor i portit. Pse e bëri pikërisht në atë moment?”, pyeti Toska në studio.
Nga ana tjetër, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në studio, Auron Tare, hodhi poshtë me forcë çdo pretendim për abuzim, duke zbardhur detajet teknike të atij hulumtimi në bashkëpunim me specialistë amerikanë.
“Mund t’ia shpjegoj atij zotërisë meqë më përmendi. Për të gjithë që më njohin, kam 18 vjet në këshillin shkencor të UNESCO-s dhe jam marrë me kërkimet arkeologjike nënujore. Kam 18 vjet me kërkimet nënujore arkeologjike në Shqipëri. Kur im vëlla ishte në detyrë, unë i kam thënë se kishim 2 anije kërkimore shkencore amerikane në dispozicion dhe se do të ishte në interesin e Shqipërisë për t’i bërë skanimin e Portit të Durrësit falas, pa asnjë lek, në ndihmë të popullit shqiptar dhe hartografisë shqiptare meqë ishim në zonë duke bërë kërkime,” u shpreh Auron Tare.
Auron Tare theksoi se nga ky projekt nuk është përfituar asnjë e ardhur financiare dhe se të gjitha të dhënat i janë dorëzuar institucioneve zyrtare të shtetit shqiptar.
“Për një javë kemi skanuar Portin e Durrësit për çdo mbetje, anije të mbytur etj., dhe të gjithë hartografinë ia kemi dhënë: një kopje Ministrisë së Mbrojtjes, një portit dhe një Institutit të Arkeologjisë. Kjo është bërë e gjitha FALAS! Pa asnjë lek! Ai zotëria ka pafytyrësinë që një gjest bamirësie ta kthejë në akuzë publike sikur ka ndonjë mister. Është turp i madh dhe më vjen shumë keq që ai zotëria merret edhe me këtë çështje. Nëse do, le të marrë hartat në institucionet ku janë,” përfundoi Auron Tare gjatë ndërhyrjes së tij në News24.
