Ministria e Infrastrukturës do të vendosë penalitete ndaj Mabco të Behgjet Pacollit dhe VIA-s së Valon Ademit, të përfshira në kontratën koncesionare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Prej një kohe të gjatë, 2 kompanitë janë përfshirë në përplasje, një konflikt i cili po përkthehet në zvarritje të punimeve dhe pamundësimin e veprës për t’u bërë operacionale, ndryshe nga sa ishte premtuar.
Këtë të premte, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi për mediat se dikasteri që ai drejton do të marrë masa ndaj shoqërive koncesionare, pasi siç shtoi ai, mosmarrëveshjet ndaj 2 biznesmenëve po kthehen në kosto për qytetarët.
“Nuk ka ndodhur as përfundimi total i infrastrukturës civile dhe nuk ka ndodhur as operacionaliteti. Në bazë të kontratës, këto duhet të kishin ndodhur në momentin që jemi duke folur dhe unë prandaj referova që patjetër penaliteti do t’i vendoset subjekteve, le të themi, tregtare”, u shpreh Karakaçi.
Pyetje: Zoti Ministër, sa i takon çështjes së Aeroportit të Vlorës, kur duhet të nisnin fluturimet në Aeroportin e Vlorës dhe nëse është shkelur ky afat, a gjykon Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që mund t’i vendosë edhe një kushtëzim që brenda këtij afati duhet të jetë aeroporti operacional? Dhe një pyetje të dytë sa i takon tenderit të anuluar të portit të ri tregtar në Durrës, në Porto Romano. Ju mendoni se, ose a e keni gati zgjidhjen që do t’i jepni këtij projekti? Sepse kur tenderi u anulua u tha që do të dilni shumë shpejt me një zgjidhje tjetër. Dhe një pyetje të tretë ka të bëjë me një kërkesë që ka ardhur nga Shoqata e Transportit, të cilët kërkojnë një zgjatje të rimbursimit që ju keni miratuar për naftën deri në shtator. Faleminderit.
Enea Karakaçi: Përsa i përket Aeroportit të Vlorës, patjetër, siç unë e referova në fjalën time publike, aeroporti nuk është operacional. Dhe duhet të kuptojmë diçka, që kur flasim me operacionalitet në kuptim të kësaj kontrate koncesionare, por edhe në kuptim të aeroporteve, nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e veprës civile, por bëhet fjalë edhe për marrjen e të gjitha certifikatave përkatëse për bërjen e mundshme të operimit ajror. Dhe kjo është fakt publik që nuk ka ndodhur. Nuk ka ndodhur as përfundimi total i infrastrukturës civile dhe nuk ka ndodhur as operacionaliteti.
Në bazë të kontratës, këto duhet të kishin ndodhur në momentin që jemi duke folur dhe unë prandaj referova që patjetër penaliteti do t’i vendoset subjekteve, le të themi, tregtare.
Dua të theksoj dhe faktin që mosmarrëveshja në të cilën ju e keni parë gjatë gjithë kësaj kohe dhe ka pasur vëmendje publike gjatë gjithë kësaj kohe është një mosmarrëveshje private ndërmjet dy shoqërive që kanë marrë pjesë me vullnetin e tyre të lirë në garën e Aeroportit të Vlorës.
Dhe kjo mosmarrëveshje, e cila ka shkuar tani që nga mosmarrëveshjet civile në gjykatat civile deri në mosmarrëveshje penale, po bëhet shkak për vonesat e mëtejshme të operacionalitetit të Aeroportit të Vlorës, por jo vetëm, por po bëhet shkak edhe për prishjen e reputacionit të Aeroportit të Vlorës.
Të gjitha ato ngjarje që ne kemi parë ditët e fundit, patjetër janë të papëlqyeshme, së pari për qytetarët shqiptarë, ajo vepër infrastrukturore është për qytetarët dhe pastaj edhe për qeverinë dhe për shtetin shqiptar që kishte për të përfituar një zhvillim të mëtejshëm të turizmit në atë zonë. Dhe prandaj unë iu referova që ne si Ministri e dimë që patjetër ne do të zbatojmë të gjitha klauzolat përkatëse që njeh kontrata e koncesionit, në mënyrë që të realizojmë operacionalitetin e tyre, pavarësisht mosmarrëveshjes që kanë palët.
