Në kuadër të një fushate ndërgjegjësimi për sigurinë rrugore, Shoqata “Evu Albania” organizon më 13 qershor në Sheshin “Nënë Tereza” një event unik me testime të përplasjeve reale mes mjeteve të ndryshme, me qëllim edukimin e shoferëve dhe qytetarëve.

Alfred Hasanaj, drejtues i Shoqatës dhe ekspert autoteknik, shpjegoi në News 24 se Evu Albania sjell për herë të parë në Shqipëri teknologjinë më të avancuar europiane për skanimin 3D dhe analizën shkencore të aksidenteve rrugore. Me pajisjen “Event Data Recorder” (kutia e zezë), e cila tashmë gjendet në shumicën e makinave moderne, mund të lexohet shpejtësia dhe forca e goditjes në momentin e aksidentit, duke siguruar prova të pa manipuluara për gjykatat dhe prokurorinë.

Përveç demonstrimeve teknike, gjatë eventit do të bashkëpunojnë institucionet shtetërore si DPSHTRR dhe Policia Rrugore, ndërsa do të zhvillohet edhe një fushatë për dhurimin e gjakut, një veprim jetik për të aksidentuarit. Ngjarja fillon më 13 qershor në orën 09:00 dhe është e hapur për të gjithë qytetarët, që mund të ndjekin nga afër përplasjet testuese mes makinave, këmbësorëve dhe biçikletave – një mesazh i fuqishëm për rritjen e ndërgjegjësimit dhe sigurisë në rrugë.

Alfred Hasanaj, drejtues i Shoqatës Evu Albania, ekspert autoteknik: ‘Evu Albania’ sjell për herë të parë në Shqipëri përvojat më të mira europiane për “skanimin” e aksidenteve. Kutia e zezë të jep të dhëna se përse ka ndodhur aksidenti. Ngjarja duhet të dokumentohet me metoda shkencore. Vendi i ngjarjes skanohet me 3D, aplikojmë teknologjinë më të fundit për të analizuar ngjarjen. Ne nxjerrim shpejtësinë jo para goditjes, por tek goditja. Që dmth një makinë mund të ketë qenë më 120 km në orë, ama goditja në fund ka qenë prsh 20 km në orë. Në Shqipëri, kutinë e zezë e kanë shumica e makinave. Toyota e ka, Benzi e ka, Volvo e ka nga 2011, ka lidhje me vitin e prodhimit. Është e domosdoshme të lexohet shkencërisht airbag-u. Pasi marrim leje nga prokuroria, për 5 minuta lexojmë kutinë e zezë. Pajisja quhet “Event Data Recorder” dhe eventi ngelet. Kur të dhënat dalin në kompjuter, as nuk ka shanse që të manipulohen, të dhënat përdoren në gjykatë e Prokurori. Ne menduam të organizojmë një ditë ndërkombëtare ndërgjegjësimi, do marrë pjesë DPSHTRR, Policia Rrugore. Do kemi edhe bankën e gjakut dhe është mundësi e mirë për të dhënë gjak. Të japësh gjak është e domosdoshme dhe jetike për të aksidentuarit. Ne kemi teknologjinë më të fundit. Sumpoziumi do të jetë më datë 13 qershor, te Sheshi Nënë Tereza, duke nisur nga ora 09:00. Do kemi test makinë-këmbësor, do ketë test mjet-mjet, mjet-biçikletë, pra do kemi përplasje reale atë ditë. Gjithçka bëhet për ndërgjegjësim. Çdokush mund ta ndjekë këtë event.

(d.xh-Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb