TIRANE– Një konflikt me armë është regjistruar gjatë paradites së sotme në Paskuqan. Policia raporton se pranë një pike karburanti është qëlluar me armë, pas një konflikti mes disa personave. Sipas policisë shtetasi i indentifikuar si Liman Lita ka qëlluar me armë zjarri në tokë, dhe më pas është larguar me një mjet.
Sakaq burime jo zyrtare shtojnë se bëhet fjalë për një konflikt për bindje politike.
Shtetasi Lita ka qëlluar në tokë,për të trembur personat që ishin duke e dhunuar.
Ndërkohë që PD, shprehur për incidentin, pretendon se një person me bindje të majta ka qëlluar me armë në takimin që kandidati i djathtë Xhelal Mziu kishte me elektoratin e kësaj zone.
Policia nga ana e saj njofton se po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit.
REAGON XHELAL MZIU: LIMAN LITA NA PENGOI TË ZHVILLOJMË TAKIMIN
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kandidati i djathtë për Bashkinë e Paskuqanit, Xhelal Mziu. Në një deklaratë për mediat, Mziu tha se incidenti është bërë më qëllim pengimin e takimit që ai do zhvillonte në këtë zonë.
“Incidenti me armë ndodhi në rrugën “Avni Nela”. Liman Lita na pengoi të zhvillojmë takimin. Personi qëlloi me armë, por e shmangën qytetarët. Votat nuk merren me armë dhe miell, ne jemi fitues”, tha Mziu.
GJICI-MZIUT: I DËNUARI PËR VJEDHJE, NË PANIK NGA HUMBJA
Ka reaguar kandidati i majtë për Bashkinë e Kamzës, Safet Gjici në lidhje me incidentin e ndodhur sot në Paskuqan, ku dy persona u konfliktuan për bindje politike. Në një deklaratë drejtuar mediave, Gjici theksoi se rivali i tij, Xhelal Mziu, që sipas tij është i dënuar për vjedhje, është në panik për humbjen.
“Në panik nga humbja e zgjedhjeve në datën 21 qershor, i dënuari me vendim gjykate për vjedhje të fondeve publike, Xhelal Mziu, ka vrapuar sot të akuzojë kandidatin e ASHE, Safet Gjicin dhe shtabin e tij për një incident të ndodhur në Paskuqan, ku protagonistë si gjithmonë janë aktivistët e PD. Kandidati i ASHE dhe shtabi i tij, distancohet dhe dënon këtë ngjarje dhe çdo akt tjetër dhune, të cilitdo krah politik. Xhelali të marrë përgjegjësitë për sherret që bën me ish miqtë e tij. Të heqë dorë nga provokimet. Fushata zgjedhore duhet të jetë e qetë dhe të shpalosen programet, pa harruar se koha kur Xhelali mbushte kutitë ka marrë fund.
Sot në Paskuqan ka pasur një konflikt mes anëtarëve aktual të PD dhe ish kryetarit të PD për Paskuqanin. Konflikt i cili më pas ka degraduar dhe në nxjerrjen e armëve. Fakti që përplaset edhe me ish drejtues të PD të Paskuqanit tregon se Xhelalit i ka humbur qetësia. Theksojmë se asnjë anëtar, simpatizant dhe mbështetës i kandidatit të ASHE, Safet Gjici dhe PS, nuk është i përfshirë në këtë incident. Gjithçka ka ndodhur si pasojë e frikës dhe panikut që ka mbërthyer kryetarin në ikje të Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziun, i cili prej disa ditësh ka filluar presionet dhe kërcënimet ndaj votuesve. Pjesë e këtij presioni ka qenë edhe personi i përfshirë në incidentin e sotëm, L. L, i cili prej disa ditësh është kërcënuar personalisht dhe familjarisht nga njerëz të afërt me hajdutin Xhelal Mziu për arsye se prej kohësh kishte deklaruar që nuk mbështeste më Xhelalin dhe modelin e tij të shkatërrimit. Doktori i shkencave në vjedhje nuk mund të tolerojë më largimin e askujt prej anëtarëve të PD, pasi çdo ditë e më shumë po lihet vetëm në godinën nga e cila do ta shporrin vetë qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit në 21 qershor.”, thuhet në deklaratën e kandidatit të ASHE-së.
Kandidati i ASHE-së, theksoi se qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit e kanë marrë tashmë vendimin e tyre për zgjedhjet e 21 qershorit. “Ata nuk mund të blihen me thasë mielli, apo para të shpërndara në zyrat e Bashkisë Kamëz. Ata do ti thonë jo njëherë e përgjithmonë modelit të hajdutit dhe të të fortit në krye të Bashkisë, më 21 qershor, ku do të zgjedhin alternativën e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Xhelal Mziu sot nuk frikëson më askënd dhe jo më të kërcënojë dhe blejë me votë qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit. Ky model ka dështuar që në 23 qershor të 2013, për t’u zhdukur njëherë e mirë të dielën. Këto janë përpëlitjet e fundit të të mbyturit që do të kapet pas fijes së barit, por nuk ka asgjë që mund ta shpëtojë. Të dashur bashkëqytetarë, bëni durim. Edhe 5 ditë dhe Bashkia e madhe e Kamzës do të nisë rrugën e zhvillimit në drejtimin e duhur, për më shumë shërbime dhe punësim. Edhe 5 ditë dhe ju nuk do të jeni më peng i një hajduti me vendim gjykate. Më 21 qershor i japim fund banditizmit në krye të Bashkisë.”, përfundon deklarata.
(el.sp/ed.me/BalkanWeb)
