Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, deklaroi sot se avionë luftarakë kinezë “bllokuan” me radarët e tyre të kontrollit të zjarrit avionë luftarakë japonezë në hapësirën ajrore pranë ishullit Okinawa, duke e cilësuar incidentin “të rrezikshëm dhe jashtëzakonisht të pafat”.

Tokio i ka paraqitur Pekinit një “protestë të ashpër” pas këtyre ngjarjeve, të cilat nuk shkaktuan të lënduar apo dëme, tha Koizumi gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp të mbajtur në mëngjes.

Sipas ministrit, incidentet ndodhën mbi ujëra të hapura, në juglindje të Okinaëas, në skajin jugor të arkipelagut japonez.
“Një avion luftarak J-15, që ishte ngritur nga aeroplanmbajtësja Liaoning e marinës kineze, bllokoi herë pas here me radarët e tij të kontrollit të zjarrit një avion japonez F-15 që ishte nisur për ta ndaluar”, theksoi ai në platformën X.

Rreth dy orë më vonë u regjistrua një incident i dytë i ngjashëm, sërish mes një tjetër J-15 të ngritur nga e njëjta aeroplanmbajtëse dhe një tjetër F-15 japonez, shtoi Koizumi, duke e përshkruar ngjarjen si “të rrezikshme” dhe jashtë “kuadrit të nevojshëm për sigurinë e fluturimeve”.

“Bllokimi” me radar nënkupton se radari i një avioni ndalon skanimin e përgjithshëm dhe fillon të ndjekë një objektiv të caktuar për të llogaritur parametrat e goditjes.
Avionët modernë janë të pajisur me sisteme paralajmëruese që sinjalizojnë pilotin kur ai bllokohet në këtë mënyrë, duke i mundësuar të kryejë manovra shmangëse.

Tensionet mes Pekinit dhe Tokios janë rritur që kur kryeministrja e re e Japonisë, Sanae Takaichi, la të kuptohej në nëntor se Japonia mund të ndërhynte ushtarakisht në rast të një “sulmi” kinez ndaj Tajvanit, ishull që Kina e konsideron provincë të vetën.

Që atëherë janë raportuar disa incidente të përfshirjes së avionëve dhe anijeve japoneze e kineze në Detin Lindor të Kinës, pranë ishujve që kontrollohen nga Japonia, por që Kina i pretendon — të njohur si Senkaku dhe Diaoyu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb