Dëgjesa publike e zhvilluar në Rrajcë në kuadër të konsultimeve për Reformën e Re Territoriale është shoqëruar me debate dhe tensione, ndërsa një pjesë e banorëve kanë braktisur takimin në shenjë proteste.

Takimi ishte parashikuar si një proces konsultimi me komunitetin për ndryshimet e mundshme në organizimin territorial dhe të ardhmen administrative të Bashkisë Prrenjas. Por diskutimet u përshkallëzuan pasi banorët kërkuan nga deputetët socialistë të zonës, Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici, një qëndrim të qartë lidhur me variantet e propozuara të reformës.

Banorët e Rrajcës shprehën shqetësimin se çdo ndryshim që do të çonte në shkrirjen apo riorganizimin e njësive vendore mund të ndikonte në ofrimin e shërbimeve publike, përfaqësimin e komunitetit dhe aksesin e qytetarëve në administratë.

Gjatë diskutimeve, ata kërkuan që deputetët e maxhorancës të deklaronin hapur nëse janë pro apo kundër planit të ri territorial, duke argumentuar se një riorganizim i tillë mund të thellonte problemet e zonave periferike dhe të rriste distancën e qytetarëve nga shërbimet administrative.

Përballë këtyre kërkesave, deputetët Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici nuk dhanë një qëndrim përfundimtar pro ose kundër variantit të Reformës Territoriale, duke argumentuar në thelb se procesi është ende në fazën e konsultimit.

Kjo përgjigje nuk i ka bindur banorët e pranishëm. Një pjesë e tyre e konsideruan mungesën e një pozicionimi të qartë si mungesë transparence dhe kërkuan që shqetësimet e komunitetit të merren seriozisht në procesin e vendimmarrjes.

“Bora mos fut sepse hyrë me votat e Elës, edhe radhën e parë ai i Elbasanit ka hyrë me votat e Albanës, nuk ke të drejtë të flasësh sepse nuk ke marrë vpotë direkte. Kini mendjen se herë tjetër nuk do ta keni mbështëtjen e këtij populli”, u shpreh një prej atyre.

Ndërkohë, deputetët e Partisë Demokratike të pranishëm në dëgjesë u shprehën kundër varianteve që, sipas tyre, do të çonin në shkrirjen ose dobësimin e Bashkisë së Prrenjasit.

Debatet vijuan për disa minuta, ndërsa situata u tensionua dhe një pjesë e banorëve vendosën të largohen nga salla, duke e konsideruar takimin të pamjaftueshëm për të adresuar shqetësimet e tyre.

Dëgjesat publike për Reformën Territoriale pritet të vijojnë edhe në zona të tjera, ndërsa qëndrimi i komuniteteve lokale mbetet një prej elementeve të procesit të konsultimit për riorganizimin e mundshëm të njësive të qeverisjes vendore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb