Debati për ndalimin e monopatinave elektrike u zhvendos në Kuvend, ku deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, kërkoi sqarime nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, lidhur me vendimin që tashmë është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Kapri e cilësoi udhëzimin si antikushtetues dhe kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen të rinjtë që përdorin mjete elektrike për të shkuar në shkollë apo në punë. Ai solli shembuj konkretë, duke pretenduar se policia ka sekuestruar mjete pa dokumentacion dhe ka shoqëruar edhe të mitur, duke i penalizuar padrejtësisht. Sipas deputetit, ndërsa të rinjtë ndëshkohen për monopatina, autoritetet tregohen tolerante ndaj personave me makina luksoze me burim të dyshimtë të ardhurash. Ai akuzoi qeverinë për mungesë lidhjeje me realitetin dhe për trajtim të padrejtë të qytetarëve. “Këtë e keni bërë me mijëra raste, kjo tregon modelin tuaj ndaj këtyre të rinjve të cilët janë model, që shkojnë në punë me mjete elektrike që i kanë blerë me kredi që sakrifikojnë shumë, të cilët i bëjnë një shërbim publik sepse një mjet elektrik në qarkullim do të thotë një makinë më pak. Në kushtet kur edhe nafta është rritur me 50 lekë më shumë ju ua vështirësoni jetën, keni humbur çdo lidhje me realitetin. Në vend që t’i inkurajoni, i trajtoni si kriminelë. Policët gjëmojnë adoleshentët sikur janë shpërndarës të lëndëve narkotike. Me të fortët jeni kokulur, dilni para parlamentit shikoni gjysmë ore rrugën do kalojnë me dhjetëra makina luksoze të të rinjve që nuk e justifikojnë burimin e të ardhurave. Tregoheni të zellshëm ndaj të pamundurve, por ndaj të fortëve rrini kokulur, ky nuk është një model që tregoni tek të rinjtë e monopatinave që ende nuk i jepni zgjidhje edhe pse kam katër muaj që kam sjellë nismën ligjore në parlament edhe heshtni sepse me sa duket po përgatitet tjetër projekt për oligarkun e radhës si ta kapë këtë treg në rritje”, tha Kapri.

Nga ana tjetër, ministri Lamallari mbrojti vendimin, duke theksuar se qëllimi i vetëm është siguria rrugore dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve. Ai paraqiti statistika, sipas të cilave aksidentet me monopatina kanë pësuar rritje të ndjeshme ndër vite: 587 raste në vitin 2023, 991 në 2024 dhe 887 në 2025.
Ministri nënvizoi se pas ndalimit, numri i aksidenteve ka rënë ndjeshëm, duke regjistruar vetëm 6 raste që nga tetori. Ai shtoi gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e monopatinave të verifikuara rezultonin pa dokument pronësie. Lamallari solli si shembull edhe praktikat në vendet e Bashkimit Europian, duke përmendur ndalimin e monopatinave në Paris, si një masë për të shmangur kaosin dhe për të rritur sigurinë në rrugë.

Në replikë, Kapri paralajmëroi se qeveria do të përballet me dështim në Gjykatën Kushtetuese dhe kritikoi faktin që, edhe pas 6 muajsh nga ndalimi, ende nuk ka një rregullore të qartë për përdorimin e monopatinave, duke lënë të paqartë kushtet për rikthimin e tyre në qarkullim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: