Kreu i PD Sali Berisha mbajti një konferencë për mediat nga selia blu, ku u ndal në protestën e djeshme dhe dhunën e ushtruar sipas tij nga policia ndaj protestuesve.

Gjatë fjalës së tij Berisha u pyet lidhur me protestën dhe përplasjen që ndodhën gjatë tubimit.

Kreu i PD theksoi se dhuna e vërtetë është ajo e ‘mosarrestimit të Linda Bashës dhe Ergys Agasit’.

“Bllokimi i drejtësisë për arrestimin e Lubi Ballukut për shkak të Edi Ramës është dhunë. Për ne, dhunë e tmerrshme është mosarrestimi i Linda Bashës, e implikuar kokë e këmbë në aferën e AKSHI-t. Për ne, dhunë e tmerrshme është lëvizja e lirë e Ergys Agasit dhe thuhet edhe vizitat e tij në Surrel, për të cilat duhet të bëhet hetim. Këto janë dhunë e tmerrshme ndaj një populli, se janë dhunë ndaj ligjeve, ndaj Kushtetutës, ndaj themeleve. Me të gjitha këto, ne qëndrojmë në moton e protestës paqësore, jo se nuk e dimë, por ne besojmë se dhuna nuk na shërben. Ne besojmë se në rrugën paqësore, ne realizojmë më shpejt dhe më mirë qëllimet tona”, theksoi Berisha.

Më tej kreu i PD, paralajmëroi se protestat  nuk do të ndalen deri në largimin  e ‘organizatës kriminale’ siç shtoi ai kryesohet nga kryeministri Rama.

Pjesë nga fjala e Berishës;

Qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë nderuan në mënyrën më madhështore, më solemne, më dinjitoze 22 marsin, ditën e parë të demokracisë me demonstratën e tyre të fuqishme në kushtet e një narkodiktature, autokracie elektorale apo diktaturë autoritare, shqiptarët treguan dje se janë të pamposhtur nga kjo narkodiktaturë.
Mendoj se me protestën e tyre përfaqësuan revoltën, zemërimin e një kombi të tërë.

Kurrë ndonjëherë më e fuqishme kryengritja paqësore e shqiptarëve se sa dje nuk ka qenë në rrugët e Tiranës.
Mesazhi është i qartë, në Shqipëri në kushtet e autokracisë të sundimit të Edi Ramës, nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet.
Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje.

Ajo do përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë gjer në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën.
Ndaj dhe unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata dhjetëra mijëra qytetarë që mbushën dje rrugët dhe bulevardet e Tiranës dhe protestuan në mënyrë dinjitoze.
Shprehën zemërimin e tyre ndaj këtij regjimi.

Kam një mirënjohje të pakufishme ndaj medieve që e përcollën atë, por në veçanti edhe ndaj medieve ndërkombëtare.
Pas luftës në Lindjen e Mesme, lajm kryesor në mediat ndërkombëtare është protesta e qytetarëve shqiptarë ndaj regjimit të korruptuar të Edi Ramës.
Dhe këto lajme, të përhapura në mediat më të mëdha të botës, të transmetuara dhe të ritransmetuara nga agjencitë më të mëdha ndërkombëtare dhe gazetat më të mëdha e rrjetet televizive, janë mbrojtja e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, mbrojtja e dinjitetit të Shqipërisë. Me këto lajme, mediat ndërkombëtare u faktojnë kombeve dhe vendeve të tyre se vërtet në Shqipëri ka një Ramaduro, ka një kryeministër, i cili nxjerr veten mbi ligjin për vjedhjet që ka bërë. Përdor mandatet e krimit si thika kundër ligjit dhe shtetit. Por ka një popull që nuk pranon këtë.
Ka një popull që ngrihet fuqishëm si vigan kundër tij.

Jemi në kushtet e marrjes së pushtetit të drejtësisë nga ekzekutivi, përligjet çdo mjet, por ne qëndrojmë tek kryengritja paqësore. Kjo është e tëra.
E konsiderojmë dhunën më të madhe ndaj këtij populli marrjen e pushtetit të drejtësisë nga pushteti ekzekutiv. Kjo përbën një dhunë të tmerrshme kushtetuese.
Për ne dhunë e tmerrshme ndaj këtij populli është Olta Xhaçka në parlament, duke hedhur poshtë dy herë, urdhrin e Gjykatës Kushtetuese. Për ne, dhunë e tmerrshme ndaj këtij populli është bllokimi i drejtësisë për arrestimin e Lubi Ballukut për shkak të Edi Ramës.
Për ne, dhunë e tmerrshme është mos arrestimi i Linda Bashës e implikuar kokë e këmbë në aferën e AKSHI-t. Për ne, dhunë e tmerrshme është lëvizja e lirë e Ergys Agasit dhe thuhet edhe vizitat e tij në Surrel, për të cilat duhet të bëhet hetim. Këto janë dhunë e tmerrshme ndaj një populli, se janë dhunë ndaj ligjeve, ndaj Kushtetutës, ndaj themeleve. Me të gjitha këto, ne qëndrojmë në moton e protestës paqësore, jo se nuk e dimë, por ne besojmë se dhuna nuk na shërben. Ne besojmë se në rrugën paqësore, ne realizojmë më shpejt dhe më mirë qëllimet tona.

Dhe ju e shihni se si mediat ndërkombëtare çfarë pasqyrimi të shkëlqyer i bëjnë protestave të Shqipërisë. Pra, nuk jemi në kushtet e një vendi me demokraci. Jemi në kushtet e një vendi që ka humbur, është zhytur thellë në një autokraci elektorale, apo diktaturë autoritare. Megjithatë, ne nuk bëjmë thirrje dhe jemi kundër protestave të dhunshme, ne jemi për kryengritjen paqësore, jemi përcaktuar për këtë. Po të jetë për dhunë, dhunën më të egër ndaj njerëzve e ka përdorur policia. E cila ka gjuajtur me plumba gome në ballë, në kokë.

Dhe dje ai që ishte në spital, Denis Gremi, ishte viktimë e një goditje të rëndë në kokë, pa asnjë lloj shkaku. Pra të kuptohemi. Unë nuk them se nuk ka patur elementë tek tuk, por nuk ka asnjë polic të plagosur. Dhe dje inskenimi i turpshëm i Edi Ramës. Çfarë kishin bërë dje që ta dini ju. Kishin çuar 5 policë dhe i kishin shtrirë në ato shtretër, por ata nuk kishin gjë.
I zhveshën mjekët, se isha unë atje dhe nuk kishin asnjë plagë, asnjë gjë. Absolute kjo. Shkoi ky sharlatani për të thënë dhe Rama u bëra unë gati të nisem për tu treguar shqiptarëve se këta po gënjenin, po mashtronin, policët ikën, nuk qëndruan se nuk donin të bëheshin kukulla në një skenar të turpshëm. Nuk kishin asnjë gjë.
Shkova e takova mjekët, nuk kishte asgjë të regjistruar. Imagjinoni ju duan të shpikin. Pse nuk ka dhunë, sepse ka porosi të mos ketë dhunë, sepse është paqësore protesta. Është shumë thjeshtë të bësh dhunë, gjëja më e thjeshtë. Por ne kemi këtë platformë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: