Përplasjet vdekjeprurëse mes fraksioneve islamiste të armatosura, forcave të sigurisë dhe luftëtarëve nga pakica fetare druze pranë Damaskut janë një tjetër shenjë e brishtësisë së vazhdueshme të sigurisë në Siri pas rrëzimit të Bashar al-Assad. Aktorë të jashtëm janë përfshirë sërish, me Izraelin që deklaron se ka kryer sulme ajrore për të mbrojtur civilët druze.
Kjo përfaqëson një tjetër vijë përçarjeje në Siri, e cila është lënë e copëtuar dhe e ndarë pas 13 vitesh lufte shkatërrimtare civile dhe dekadash sundimi autoritar nga dinastia Assad. Autoritetet e reja siriane kanë thënë se janë të vendosura të sjellin unitet dhe stabilitet, por shumë brenda dhe jashtë vendit ende dyshojnë për qëllimet e tyre, për shkak të lidhjeve me xhihadizmin. Para se presidenti Assad të përmbysej, ai kishte rikthyer kontrollin mbi qytetet kryesore të Sirisë dhe rrugët kryesore që i lidhin ato — si dhe mbi krahinën bregdetare të alavitëve, sekti i familjes së tij.
Por kishte rajone të tjera që ishin pjesërisht ose pothuajse krejtësisht jashtë kontrollit të tij. Këto përfshinin Idlibin në veri, prej nga udhëheqësi aktual i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, drejtoi fraksionin e tij islamist rebel Hayat Tahrir al-Sham (HTS) — një ish-afiliatë e al-Kaedës — drejt fitores në dhjetorin e kaluar.
Në verilindje, forcat kurde siriane ruajtën një autonomi të pjesshme gjatë gjithë luftës civile dhe më tej. Dhe në jug të Damaskut, edhe druzët kanë gëzuar një autonomi të kufizuar. Këto ndarje mbeten, megjithëse zonat alavite janë aktualisht pikat më të nxehta për qeverinë e re siriane. Në mars, ditë të tëra luftimesh mes forcave të sigurisë dhe luftëtarëve ende besnikë ndaj Assadit lanë qindra të vdekur, përfshirë civilë. Fraksione të tjera të armatosura të lidhura në mënyrë të lirshme me autoritetet e reja u përfshinë gjithashtu dhe kryen vrasje hakmarrëse ndaj alavitëve vendas.
Dhuna e tillë është frika më e madhe si për ata që mbështesin Sharaa-n, ashtu edhe për ata që janë kundër tij.
(d.xh-Balkanweb)
