Ballkani, eshte një vend i çuditshëm në Evropë. Niveli i të ardhurave është shumë më i ulët se niveli mesatar i të ardhurave të Evropës Perëndimore dhe Qëndrore. Ky është një fakt i mirënjohur, por vlen edhe një vështrim tjetër. Prodhimi i brendshem bruto mesatarisht për frymë në Evropën Perëndimore është rreth 40,000 dollarë (shprehur në dollarë amerikanë përdorur vazhdimisht nga Banka Botërore). Të ardhurat e vendeve të Ballkanit shkojnë nga pak më shumë se 10,000 deri në 20,000 dollarë (duke përjashtuar Greqinë). Me fjalë të tjera, hendeku midis Evropës Perëndimore dhe Ballkanit është të paktën 2 me 1 dhe mesatarisht deri në 3 me 1. (Natyrisht, po të krahasosh vendet nga më të pasurit tek më të varfërit hendeku do të ishte shumë më i lartë). Nëse shikoni hartën e Evropës pa ditur shumë mbi historinë, do të habiteshit nga të tilla hendeqe: distancat janë të vogla; koha e fluturimit midis Vjenës dhe Beogradit është rreth një orë, por hendeku i të ardhurave ndërmjet dy qyteteve është ndoshta rreth 4 me 1. Kjo është si të humbasësh 30% të të ardhurave tuaja çdo 15 minuta. Pse ndodh kjo?

Unë do të pajtohesha me shpjegimin historik standard që e e shikon llojin e pushtetit kolonial si “fajtorin” kryesor. Zonat e kontrolluara nga osmanët për rreth tre apo katër shekuj kanë të ardhura më të ulëta, arritje më të ulëta arsimore, nivele më të ulta besimi tek institucione etj sesa zonat që ishin pjesë e Perandorisë së Habsburgëve. Për më tepër, ky nuk është një fenomen i ri: Hendeqet, në variablet që nuk maten nga ana monetare (si niveli i shkollimit, shkrimi dhe këndimi) ishin edhe më të mëdha në të kaluarën dhe veçanërisht në fillim të shekullit XIX kur shumica e vendeve të Ballkanit (si dhe të pakënaqurit tek Habsburgët filluan lëvizjet e tyre drejt pavarësisë. Kjo është pjesa e parë e shpjegimit standard.

Pjesa e dytë e shpjegimit standard është rritja e ngadaltë ekonomike për shkak të komunizmit. Kjo ndoshta mund të shihet më së miri në hendekun e të ardhurave midis Greqisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, një hendek që ishte më i vogël në vitet 1930 sesa në vitin 1989. Për shembull, sipas të dhënave të projektit Maddison të vitit 2017, raporti i GDP-së për frymë në Greqi dhe Rumani ishte 1.4 para Luftës së Dytë Botërore, por u rrit në 1.9 nga viti 1989.

Sipas mendimit tim, ky është një shpjegim standard me një detaj që mua më duket i çuditshëm. Në tufën e gazetave dhe librave që kanë të bëjnë me origjinën koloniale të institucioneve të sotme dhe për pasojë me nivelet e të ardhurave, ekziston një shpjegim ku vështirë se përmendet influenca koloniale osmane e cila natyrisht nuk zbatohet vetëm për Ballkanin, por për Lindjen e Mesme dhe Veriun e Afrikës gjithashtu. Unë shpresoj se ky është një nga boshllëqet që hulumtimet e ardhshme do të mbushin.

Por interesi im këtu është te kuptoj se përse Ballkani nuk ishte më i zhvilluar edhe në kohën e Perandorisë Romake. Duke parë përsëri hartën, kjo paraqet një mister edhe më të madh. Ballkani (i cili në atë kohë nuk kishte një emër të vetëm dhe se emërtimi Ballkan vjen nga osmanët) “shtrydhej” midis dy pjesëve më të avancuara dhe të zhvilluara të botës së sotme të njohur: Greqisë / Azisë së Vogël dhe Italisë (Romës). Pse atëherë zhvillimet në Ballkan ishin kaq të ngadalta?

Nëse shikojmë të dhënat për urbanizimin, Ballkani (me përjashtim të Greqisë) nuk ishte shumë i urbanizuar. Shpërndarja e dhjetë qyteteve më të mëdha rreth 150-es ishte si më poshtë: 3 në Afrikën e Veriut (Carthage, Leptis Magna dhe Ptolemais), 2 në Egjipt (Aleksandri, Memfis), 2 në Greqi (Athinë dhe Korint), 2 në Itali Sirakuza), 1 në Levant (Antiokinë). Më i vogli prej tyre ishte vlerësuar të kishte 80,000 banorë. Qyteti më i madh ballkanik ishte Iader (Zadari i sotëm në Kroaci) me 30,000 banorë (të dhëna nga Andrew Wilson, “Madhësitë e qytetit dhe urbanizimi në Perandorinë Romake”).

Në aspektin e të ardhurave, në të njëjtën kohë, dallimet ishin të mëdha. Të dhënat e Maddison tregojnë Ballkanin (përsëri pa Greqinë) se ka pasur të ardhura për frymë pak më shumë se 400 dollarë, përafërsisht të njëjtin nivel me Gaulin. Por kjo është një surprizë pasi Ballkani është i mbyllur midis dy pjesëve më të pasura të botës Euro-Mesdhetare: Greqisë dhe Azisë së Vogël me më shumë se 500 dollarë për frymë dhe Italisë me gati 700 dollarë për frymë. Pritshmëria normale do të ishte që të ardhurat e zonës të jenë një mesatare e të ardhurave italiane dhe greke dhe ndoshta 50% më e lartë se sa ishte (dhe sigurisht më e lartë se sa Gauli qe ishte më larg nga aspekti i civilizimit, për të mos folur për fundin e botës : Ishujt Britanikë).

Gibbon hulumton edhe për këtë dhe përmend atë që është një hipotezë interesante dhe ndoshta përgjigjja e pyetjes sonë: gjeografia. Gjeografia e Dalmacisë dhe Moezisë (për t’i marrë provincat siç ishin në kohën e Trajanit) është e tillë që ekziston vetëm një rrip i ngushtë bregdetar mesdhetar përgjatë Adriatikut, shoqëruar nga malet e larta dhe të pakalueshme. Ato shkaktojnë një kontrast spektakolar dhe këtë mund ta garantojë kushdo që ka udhëtuar në Gjirin e Kotorrit në Mal të Zi, por gjithashtu e bën të vështirë komunikimin me brendësinë e zonave të thella.

Nuk është për t’u habitur kur lexohet për udhëtimet e shumta të poetëve, shkrimtarëve, ushtarëve dhe perandorëve mes Italisë, Atikës dhe Egjeut, se udhëtimi është bërë gjithmonë nga rruga detare që kalon në Adriatik mundësisht në pikën më të ngushtë, Otranton, ndërmjet Pulias së sotme dhe Shqipërisë. Do të ishte shumë më e rrezikshme dhe më e gjatë për të marrë rrugën e tokës. Kështu që ndodhën dy gjëra: pjesa që komunikoi drejtpërdrejt me botën më të përparuar ishte e kufizuar në zonat bregdetare të Adriatikut dhe kurrë nuk u zgjerua në brendësi; dhe vështirësitë e rrugës tokësore midis Italisë dhe Greqisë i bëri zonat e thella të pazhvilluara dhe më pak të urbanizuara sesa ne do të parashikonim.

Por pjesa “më e keqe” është se pas përfundimit të disa vargjeve malore, terreni, pasi lëviz më shumë drejt lindjes dhe i afrohet Danubit, bëhet më e sheshtë e për pasojë më ideale për të gjitha llojet e pushtimeve përmes stepave. Kjo është në të vërtetë ajo që ndodhi dhe numri i popujve që morën atë rrugë, sulmuan dhe plaçkitën zonën është i panumërt. Roma, pasi u zgjerua në lindje, duhej të ndërtonte bazat e saj të famshme përgjatë Danubit (dhe më vonë ta zgjeronte atë duke aneksuar rajonin e Dacisë) dhe ndërsa rajoni u bë më i rëndësishëm në shekujt 2, 3 dhe 4, rëndësia e saj u përkthye kryesisht në aspektin ushtarak dhe strategjik. Jo vetëm që shumë perandorë erdhen nga Ballkani (gjë që nuk është për t’u habitur që në Perandorinë e mëvonshme vetëm gjeneralët mund të synonin realisht të bëheshin perandorë) por qytetet që u rritën në zonën “kufitare” ishin kryesisht qytete ushtarake të garnizonit. Kishte disa ndërtesa luksoze ku banonin oficerë dhe perandorë të lartë, por pak shenja të një klase të mesme të gjallë që gjendet në qytetet që kalojnë zonat bregdetare të Azisë së Vogël ose të Levantit. Qytetet e Ballkanit, në qoftë se unë mund ta bëj këtë përgjithësim, ishin vetëm kampingje ushtarake. Mark Aureli i cili kaloi shumicën e viteve të tij të fundit në “kufi” duke luftuar atje nuk duket të ketë lënë gjurmë. Sikur perandori Konstantin do të kishte zgjedhur Serdikën (Sofjen e sotme) në vend të Bizantit, ashtu siç u duk në një moment, situata mund të ishte ndryshe: një jetë e vërtetë qyteti mund të kishte lindur. Por kjo nuk ndodhi.
Pra, nëse malet do të ishin rreth 400 kilometra në Lindje a do të ishte e gjithë historia e kësaj pjese të Evropës, dhe pothuajse ndoshta e gjithe Evropa, ndryshe?
Burimi: (Globalinequality)
Perktheu: (BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: