Luftimet në Libanin jugor janë përshkallëzuar sërish, pavarësisht marrëveshjes së fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që synon t’i japë fund konfliktit në rajon.

Ushtria izraelite njoftoi se gjatë natës ka kryer sulme ndaj objektivave të ndryshëm në të gjithë jugun e Libanit. Ndërkohë, Hezbollahu raportoi për përleshje të ashpra me forcat izraelite në zonat kufitare.

Sipas raportimeve paraprake, nga sulmet dhe përplasjet janë vrarë të paktën 16 persona, ndërsa numri i viktimave mund të rritet pasi operacionet dhe verifikimet në terren vijojnë.

Zhvillimet e fundit vijnë në një moment delikat diplomatik, pasi situata në Liban konsiderohet një nga pikat kryesore të marrëveshjes së nënshkruar mes SHBA-së dhe Iranit për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Paragrafi i parë i memorandumit parashikon “ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”, si dhe angazhimin e palëve për të mos nisur veprime ushtarake kundër njëra-tjetrës dhe për të respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Libanit.

Megjithatë, sulmet e fundit dhe vazhdimi i përleshjeve tregojnë se zbatimi i marrëveshjes mbetet i brishtë dhe se tensionet në terren vazhdojnë të sfidojnë përpjekjet diplomatike për një armëpushim të qëndrueshëm.

Analistët paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i mëtejshëm në Liban mund të ndikojë negativisht në negociatat e nisura mes Uashingtonit dhe Teheranit, të cilat synojnë arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë për stabilitetin rajonal.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: