Një operacion antidrogë është zhvilluar gjatë orëve të natës në Lezhë, ku policia ka zbuluar një magazinë të përshtatur për kultivimin e kanabisit me ndriçim artificial. Magazina ndodhej pranë superstradës Lezhë–Laç, në afërsi të kryqëzimit të Spitenit.
Gjatë kontrollit, shërbimet e policisë kanë gjetur qindra rrënjë kanabisi, si edhe pajisje të ndryshme për kultivimin e tyre, përfshirë llamba ndriçimi dhe sisteme ajrosjeje.
Po ashtu, janë sekuestruar armë zjarri dhe municion. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar dy persona, të dyshuar si të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, ndërsa 5 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
