Eksperti i sigurisë Memush Habilaj, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka folur mbi efektet e gazit lotsjellës të përdorur gjatë protestës kombëtare të opozitës, ku është konstatuar se substanca rezultonte e skaduar prej rreth tre vitesh.
Habilaj shpjegoi se pas kalimit të datës së skadencës, gazit i bie efektiviteti i tij dhe ndryshon mënyra se si ndikon në shëndetin e personave ndaj të cilëve përdoret. Sipas ekspertit, këto lloj substancash kanë efekt afatshkurtër dhe zakonisht nuk lënë pasoja afatgjata, pasi përdoren kryesisht për shpërndarjen e demonstratave dhe janë të miratuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Duke u ndalur te ndikimi në organizëm, Habilaj theksoi se persona me probleme shëndetësore mund të përballen me shqetësime apo komplikacione më të rënda pas ekspozimit ndaj gazit lotsjellës apo sprejit piper. “Efektet mund të jenë më problematike te individë që vuajnë nga sëmundje të caktuara”, u shpreh ai.
Në këtë kuadër, eksperti rekomandoi që persona me probleme shëndetësore të shmangin çdo ekspozim ndaj këtyre substancave, pasi rreziku për pasoja është më i lartë krahasuar me individët e shëndetshëm.
