Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, paralajmëroi se do të ketë një ulje prej 10% të kapacitetit të udhëtimeve ajrore në 40 nga aeroportet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara, nëse mbyllja e qeverisë federale vazhdon edhe pas së premtes.

Vendimi vjen pasi kontrollorët e trafikut ajror kanë raportuar probleme me lodhjen dhe mungesën e personelit, si pasojë e faktit që shumë prej tyre nuk janë paguar për më shumë se një muaj.

Kreu i Administratës Federale të Aviacionit (FAA), Bryan Bedford, tha se situata është “e pazakontë” dhe pasojë direkte e mbylljes më të gjatë të qeverisë në historinë e SHBA-së.

“Kontrollorët tanë nuk janë paguar për një muaj. Po shohim presione që nuk na lejojnë të garantojmë më sistemin ajror më të sigurt në botë, nëse kjo vazhdon,” – deklaroi Bedford.

Sipas të dhënave paraprake, redukimi i fluturimeve do të zbatohet gradualisht:

4% të premten,

5% të shtunën,

6% të dielën,
duke arritur në 10% gjatë javës së ardhshme, raportoi Reuters, duke cituar burime nga administrata.

Emrat e aeroporteve të prekur të gjitha me trafik të lartë pritet të bëhen publikë të enjten. Ulja e kapacitetit mund të ndikojë nga 3,500 deri në 4,000 fluturime në ditë.

Mbyllja e qeverisë nisi më 1 tetor, pasi fondet federale për agjencitë publike përfunduan, duke detyruar shumicën e punonjësve të qëndrojnë në shtëpi pa pagesë. Vetëm punonjësit “thelbësorë”, si kontrollorët e trafikut ajror, janë të detyruar të vazhdojnë punën pa u paguar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb