TIRANË- Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, përuroi pajisjet e reja të radiologjisë dhe dy ECHO të reja në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr. 2 në Tiranë, në vijim të përmbushjes së angazhimit për përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor me aparatura, pajisje dhe shërbim më cilësor për qytetarët.
Me një fond prej 800 mijë eurosh, kontribut i Zyrës së Bashkëpunimit Italian për Zhvillim, shërbimi shëndetësor ndryshon në mënyrë cilësore në Poliklinikën nr 2, e cila mbulon 1/3 e popullatës së kryeqytetit me shërbim të specializuar.
“Vijojmë të përmirësojmë ndjeshëm kujdesin shëndetësor parësor. Vetëm javët e fundit kemi vënë në punë 3 poliklinika specialitetesh në Tiranë dhe në Korçë, pajisje të reja ekzaminuese. Bëhet fjalë për një investim prej 800 mijë eurosh, pjesë e një programi për shërbimin parësor prej 5 milion eurosh, e cila siç edhe u pa, përmirëson ndjeshëm cilësinë e shërbimit në këtë poliklinikë specialitetesh. Unë besoj se kjo është një dëshmi që jemi në drejtimin e duhur për t’i dhënë edhe personelit mjekësor instrumentet dhe kushtet për të punuar me mjete bashkëkohore, për të patur ekzaminime të sakta, për të patur diagnoza të sakta dhe më pas për të përcaktuar terapi sa më të përshtatshme”, tha Beqaj.
Ministri i Shëndetësisë premtoi programe të tjera zhvillimi duke thënë se kantieri i shëndetësisë është hapur.
“Ne do të vijojmë edhe me programe të tjera zhvillimi. Tashmë, është realitet që kantieri i shëndetësisë është hapur. Vetëm me Zyrën e Koperacionit Italian ne kemi programe në zbatim me vlerë 10 milion euro dhe unë dua të përfitoj nga rasti për të shprehur falënderimet për Koperacionin Italian, për popullin mik Italian për mbështetjen që na jep”, u shpreh Ministri Beqaj.
Ndërsa Andrea Senatori, Drejtor Zyrës së Tiranës për Prgramin e Bashkëpunimit Italian për Zhvillim tha se falë këtij bashkëpunimi popullsia e Tiranës do të ketë akses në këto pajisje të një cilësie shumë të lartë.
“Është e treta poliklinikë që përurojmë në një kohë të shkurtër, pas poliklinikës qendrore, asaj të Korçës, tani është radha e kësaj poliklinike, ku investimi shkon rreth 800 mijë euro. Popullsia e Tiranës do ketë mundësi të ketë akses në këto pajisje të një cilësie shumë moderne, të një cilësie shumë të lartë dhe, në radhë të pare, kjo do të lehtësojë punën e stafit mjekësor, që do t’i garantojë një shërbim shumë më të mirë popullatës”, tha ai.
(m.k/BalkanWeb)
