Në qytetin e Kukës u përurua memoriali Sakrifica, në nder të gjeologëve, minatorëve, metalurgëve dhe punonjësve të energjisë elektrike, të cilët ndërtuan historinë industriale të Kukësit, Hasit dhe Tropojës.
Projekti për ndërtimin e memorialit u realizua me mbështetjen e Kastrati Group, ndërsa zëvendëspresidenti i grupit Leonard Kastrati u shpreh se kjo mbështetje vjen në nderim të një trashëgimie pune dhe sakrifice që meriton të kujtohet përjetësisht. “Ky monument është një kujtesë për ata që punuan në miniera dhe terrene të vështira, duke sfiduar rrezikun çdo ditë. Është një homazh për ata që dhanë jetën në krye të detyrës dhe për të gjithë ata që bartën mbi supe një punë të rëndë, por të ndershme. Për familjen Kastrati është një nder i veçantë të mbështesë këtë nismë përkujtimore, sepse ne besojmë fort se zhvillimi dhe suksesi ndërtohen gjithmonë mbi punën dhe përkushtimin e njerëzve”, u shpreh ai.
Inxhinieri Pajtim Bello, ish-drejtues i industrisë minerare në Kukës, tha se monumenti është një amanet që vjen nga thellësia e brezave. “Një amanet që vjen nga thellësia e viteve. Këto zona të trevave të Dardanisë janë shquar si vise të nxjerrjes së mineraleve dhe përpunimit të metaleve. Pra, si të thuash, është një histori e gjallë. Ky obelisk që është këtu do të jetojë, vitet do të shkojnë dhe ai do të flasë me krenari për atë se kush kemi qenë ne”, tha Bello.
Edhe Qazim Laçi, ish-drejtor i Minierës së Bakrit në Gjegjan, e cilësoi memorialin si një vepër madhore për historinë e Kukësit dhe të gjithë Shqipërisë. “Monumenti ‘Sakrifica’ është një vepër madhore e historisë së Kukësit dhe e gjithë Shqipërisë. Është simbol i punës titanike të gjithë minatorëve heroikë, metalurgëve dhe gjeologëve, të cilët me mundin, dijen dhe sakrificën njerëzore zbuluan dhe shfrytëzuan pasuritë e nëntokës së qarkut Kukës, Has e Tropojë”, u shpreh Laçi.
Pas përurimit të memorialit, u kryen homazhe në varrezat ku prehen kryegjeologët Hamit Noka dhe Riza Selimi, me kontribut të rëndësishëm në gjeologjinë e Shqipërisë dhe atë rajonale. Po ashtu, nderime u kryen edhe për Selman Elezi, ish-shef i laboratorit kimiko-fizik, ku ndër vite janë kryer miliona analiza për mineralet.
Memoriali Sakrifica u realizua nga skulptori Besart Papa, ndërsa projektimi urbanistik dhe arkitektonik i sheshit u realizua nga arkitekti Andrit Shehu. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, biznesmenë dhe qytetarë të shumtë.
