SHKODËR- Falë mbështetjes së Ambasadës Amerikane, 93 persona me aftësi ndryshe në Shkodër, do të kenë mundësinë të jetojnë në ambiente dhe kushte me standarde bashkëkohore.

Gjatë përurimit të Qendrës për Zhvillim në Shkodër, Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu u shpreh se personat me aftësi ndryshe mund të arrijnë gjithçka por kanë nevojë për arsim, vende pune dhe ndërtesa të aksesueshme.

“Kur kam qenë në gjimnaz, u bëra vullnetar i një shkolle të mesme për nxënës me aftësi të kufizuara. Që në moshë të re e kam parë vetë që personat me aftësi të kufizuara mund të arrijnë gjithçka, por për të arritur qëllimet e tyre ata kanë nevojë për arsim, vende pune dhe ndërtesa të aksesueshme. Ushtria e SHBA-së është krenare për partneritetin me Qendrën për Zhvillim në Shkodër, për të mbështetur këtë qendër që të bëhet një ndër më të mirat dhe më modernet në Ballkanin Perëndimor. Jemi krenar që punojmë në një vend që u kushton shumë vëmendje të drejtat dhe mundësive për personat me aftësi të kufizuara”, tha ambasadori Lu.

Rinovimi i qendrës u bë i mundur nëpërmjet fondeve të Programit për Ndihmë Humanitare të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA.

Programi ofroi afërsisht 407 mijë dollarë për rinovimin e qendrës. Ky projekt përfshin ndërtimin e një ashensori, përmirësimin e sistemit hidraulik dhe elektrik, instalimin e sitemit të ngrohjes qendrore, blerjen e makinave larëse dhe tharëse, riparimin e fasadës së ndërtesës.

Mjediset e përmirësuara dhe më të sigurta arsimore do të bëjnë të mundur që 93 personat me aftësi të kufizuara të regjistruar pranë kësaj qendre të kenë mundësi më të mira jetese dhe shkollimi. Ky projekt u mundëson atyre shërbime efikase rehabilitimi për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre dhe nxit integrimin e tyre në shoqëri.

Ambasadori Lu tregoi edhe disa histori suksesi nga persona me aftësi të kufizuara. “Një nga presidentët më të mëdhenj amerikanë, Franklin Roosevelt, i komandoi forcat amerikane në Luftën e Dytë Botërore nga karrigja me rrota. Një nga muzikantët tanë më të mëdhenj, Ray Charles, ka qenë i verbër që nga fëmijëria. Shkencëtari më i madh i të gjithë kohërave, Albert Einstein, vuante nga një aftësi e kufizuar për të mësuar. Njerëzit me aftësi të kufizuara mund të bëjnë gjithçka. Jemi krenarë që punojmë në një vend i cili u kushton shumë vëmendje të drejtave dhe mundësive për personat me aftësi të kufizuara.”

Duke shprehur mirënjohjen për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi  theksoi se bashkëpunimi me këtë ambasadë bëri të mundur transformimin e kësaj qendre në një nga godinat më të mira në Ballkan për personat me aftësi ndryshe.

“Puna jonë vazhdon fort në këtë drejtim, ku vitin e kaluar ngritëm 5 Qendrat Komunitare “Për Familjen” nga 1 në çdo lagje të qytetit, dhe 2 në Njësitë Administrative; Gurin e Zi dhe Dajç. Këtë vit po punojmë dhe do të ndërtojmë Qendra të Shërbimit Komunitar në Velipojë, Rrethina dhe Shalë (Theth), duke synuar shtrirjen sa më të gjerë në territorin e Bashkisë së Shkodrës”, tha ajo.

Njëkohësisht, sipas Ademit, brenda këtij viti është projektuar dhe do të vihet në funksion Qendra Multifunksionale për komunitetin rom dhe egjiptian.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: