Shkolla e re “Ardian Klosi”, që mban emrin e publicistit dhe përkthyesit të njohur, u përurua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Kjo shkollë hapi dyert për herë të parë për nxënësit e saj javën e kaluar, ndërkohë që ajo u ndërtua edhe falë mbështetjes nga Komisioni Evropian.

Shkolla ka një kapacitet për 1000 nxënës dhe ofron mjedise të reja e kushte moderne mësimdhënieje, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sociale dhe sportive. Kryebashkiaku Veliaj, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, deputetja e PS, Blerina Gjylameti, si dhe nga familjarë të përkthyesit dhe publicistit Ardian Klosi, u shpreh se kjo shkollë është një nga më modernet e Tiranës, ndërsa zona e Bregut të Lumit po transformohet në një nga lagjet më të mira të kryeqytetit.

Veliaj peruron shkollen Ardian Klosi (6)

“Duhet të jemi patjetër fitimtarë në betejën e qytetit tonë për më shumë dije. Nuk kemi ndërtuar vetëm shkollën, përballë saj është një hapësirë tjetër fantastike, një qendër komunitare, çerdhe, kopësht. Kemi krijuar një oaz në një nga lagjet që më përpara ka qenë e lënë pas dore. Nuk është vetëm ky oaz, por janë edhe 18 rrugë të reja që kanë rehabilituar një pjesë të madhe të lagjes. Për herë të parë kemi të njëjtën cilësi në zonën që me konotacion negativ më përpara quhej si Bregu i Lumit. Sot kjo zonë është një nga lagjet më moderne të Tiranës. Pra, po punojmë me të njëjtin standard, siç punohet në Sheshin “Skënderbej”, ashtu edhe në zonën e Bregut të Lumit, në Njësinë 4 edhe në këtë kompleks fantastik arsimor dhe sportiv”, theksoi Veliaj.

Veliaj peruron shkollen Ardian Klosi (4)

Kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që të bashkëpunojnë në realizimin e projekteve dhe të investimeve të Bashkisë së Tiranës, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë jetën e vetë komunitetit në këtë zonë, por njëkohësisht do të rrisë dhe vlerën e pronës.

Veliaj peruron shkollen Ardian Klosi (2)

“Më vjen mirë që kanë qenë bashkëpunëtorë, në disa raste është kërkuar që të largojnë avllitë e tyre, të hapin pak hapësirë për trotuare. Unë besoj se vetëm njerëzit e mençur e kuptojnë këtë mesazh, që duke sakrifikuar një metër nga oborri i tyre i kanë rritur disa herë vlerën komunitetit të tyre me një trotuar, me një hapësirë të sigurt ku kalojnë fëmijët. Besoj se tani që kemi vendosur këtë standard, çdo punë tjetër në Njësinë 4 dhe në zonën e Bregut të Lumit do të vazhdojë me të njëjtin prioritet. Dua të falenderoj ambasadoren e Bashkimit Evropain dhe gjithë kolegët e BE, që na bënë të mundur këtë investim në Njësinë 4”, u shpreh ai.

Veliaj peruron shkollen Ardian Klosi (1)

Krahas përmirësimit të infrastrukturës, në shkollën “Ardian Klosi” do të japin mësim mësuesit më të mirë të përzgjedhur nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Kryebashkiaku ftoi prindërit që të regjistrojnë fëmijët e tyre në këtë shkollë të re, e cila do të zgjidhë edhe problemin e mësimit me dy turne në shkollat e tjera në këtë zonë.

“Dua të falenderoj Lindita Nikollën, e cila më premtoi se do të kishim mësuesit më të mirë në këtë shkollë. Fatmirësisht, kemi edhe mësuesit e përkushtuar, falë portalit “Mësues për Shqipërinë”, në rastin konkret “Mësues për Tiranën”. Unë besoj se edhe komuniteti e ka të qartë se nuk ka asnjë arsye që të shkojmë në shkolla me dy turne, kur kemi një shkollë fantastike që ka kapacitet për të qëndruar lirshëm edhe 600 nxënës, në kushtet që kemi ofruar në këtë komunitet. Ndaj, u bëj thirrje edhe atyre që po i çojnë fëmijët te turni i dytë në shkolla të tjera, që fare mirë mund t’i transferojnë në këtë shkollë të re, si një mënyrë fantastike për të pasur një shërbim cilësor, klasa dinjitoze, por edhe mësues dinjitozë”, tha ai.

Veliaj peruron shkollen Ardian Klosi (7)

Në shkollën e re, nxënësit do të kenë mundësi që përveç lëndës së anglishtes, të studiojnë edhe gjermanisht, e cila është një nga më të kërkuarat aktualisht në tregun e punës.

“Më vjen mirë që në kujtim të Ardianit, jo vetëm si një intelektual, por si një njeri, si një dashnor i gjermanishtes, i gjithë asaj që përfaqëson Gjermania, unë jam shumë i lumtur sot që u prezantuam me mësuesin e gjermanishtes dhe kemi futur këtë gjuhë, përveç anglishtes, si një gjuhë të dytë. Besoj, për të gjithë ata që do të kenë fatin, shansin, mundësinë të studiojnë në këtë shkollë, do të jenë si Ardiani dhe njohës shumë të mirë të gjermanishtes. Sot një nga vendet dhe vendi më i zhvilluar në Bashkimin Europian dhe besoj një nga gjuhët më të dobishme përveç anglishtes, për të dalë në treg dhe për të dalë shumë herë më i armatosur në garën për të bërë karrierë dhe për të gjetur një vend pune”, tha Veliaj.

Në fjalën e tij, ai vlerësoi edhe figurën e publicistit dhe të albanologut Ardian Klosi, duke evidentuar kontributin e tij për shoqërinë shqiptare. “Ardian Klosi është arsyeja pse jemi mbledhur këtu sot dhe i kemi kushtuar këtë shkollë personalitetit dhe kontributit të tij. Një nga intervistat e fundit të Ardianit, ai tha: Atdheu është lagjja ku jetojmë, rrugica ku jemi rritur, shtëpia ku kemi kaluar fëmijërinë, komshiu që kemi përballë; qyteti është atdheu. Ky është përkufizimi më i bukur i ekzaktësisht se çfarë është atdheu”, nënvizoi Veliaj.

Veliaj peruron shkollen Ardian Klosi (5)

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, theksoi se shkolla “Ardian Klosi” është me standardet më të mira europiane dhe me mësuesit më të mirë. Ajo shtoi se është detyra e stafit pedagogjik dhe vetë nxënësve që të justifikojnë këtë investim, si në infrastrukturë, ashtu edhe në mësimdhënie.

“Unë do doja ta falënderoja kryetarin e Bashkisë së Tiranës që po mundëson në gjitha institucionet tona të arsimit parauniversitar një cilësi dhe një vlerë të shtuar, që bënë më të mirë punën e mësuesve në klasa, që bënë padyshim më të arritshme cilësinë e mësimdhënies dhe të dijes nga nxënësit e këtyre shkollave. Por ajo që është edhe më e rëndësishme, që i kthen këto shkolla në qendra komunitare. Të gjithë ne, por edhe unë në detyrën e Ministres së Arsimit, do e kisha zili këtë shkollë. Kjo është shkolla me standardet më të mira evropiane. Kjo është shkolla me mësuesit më të mirë që janë renditur në portalin Mësues për Shqipërinë”, tha Nikolla.

Veliaj peruron shkollen Ardian Klosi (3)

Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin u shpreh e kënaqur për kurorëzimin e këtij investimi me një shkollë moderne, ndërsa kërkoi nga nxënësit që ta mirëmbajnë atë dhe ta përdorin në mënyrën më të mirë të mundshme për t’u bërë më të mirët.

“Jam e sigurt që çdo cent që është sjellë këtu është investuar ashtu siç duhet. Ne bëjmë shumë gjëra si BE, por unë mendoj se ky lloj investimi është ai që është më afër zemrës tonë dhe që të investojmë te fëmijët tanë është gjëja më e mirë që mund të bëj BE në Shqipëri, sepse një gjë askush nuk do mund t’ua marrë kurrë dhe kjo është njohuria që merrni në shkollë, dija. Dhe unë vërtetë uroj dhe shpresoj që ju do t’i përdorni këto ambiente sa më mirë që të jetë e mundur që të mësoni për njeri-tjetrin, të bëheni miq, të mësoni se ç’është bota dhe të mësoni se ç’është Bashkimi Europian”, përfundoi Vlahutin.

Shkolla “Ardian Klosi” do të akomodojë 600 nxënës, ndërkohë që është e pajisur me 5 laboratorë, 2 fusha sportive, bibliotekë dhe mensë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb