Zbardhet dosja për 30-vjeçarin nga Kosova Qerim Krasniqi, i cili u arrestua për mashtrim dhe marrjen e një shume prej 135 mijë eurove nga një shtetase shqiptare, pronare e një hoteli.

Më 15 shtator të vitit 2021 Marjana C, ka bërë denoncim në polici, ku ka rrëfyer se ka qenë pronare e një shtëpie në “Bulevardin Zogu I”, të cilin e ka shitur në shumën e 170 mijë eurove. Me një pjesë të parave ka blerë një shtëpi, të cilën e ka kthyer në mini hotel ku jepte dhoma me qira ditore apo mujore.

Në hotelin e saj në muajin korrik ka mbërritur një kosovar me emrin Qerim Krasniqi, që jetonte në Zvicër. Për shkak se ai ka qëndruar gjatë aty kanë miqësuar me njëri tjetrin. Mariana tregon se ka shkak të sëmundjes covid, ajo e ka marrë Krasniqin edhe në shtëpinë e saj për t’u kujdesur më të.
Në gusht, 30-vjeçari i ka kërkuar asaj 50 mijë euro borxh, me justifikimin se i ishin bllokuar llogaritë në Zvicër dhe i është lutur që ta ndihmonte.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala dhe të zbardhur nga “BalkanWeb” thuhet se shtetasi Qerim Krasniqi i ka kërkuar sërish shuma të ndryshme monetare në vlerat 30000 euro, 28 mijë euro, 20 mijë euro si dhe një shumë prej 6 mijë eurosh, të cilën e ka marrë në pjesë të vogla nga 400 ose 500 euro, ku sipas kallëzueses shuma totale arrin vlerën 135 mijë euro.

Kallëzuesja Mariana C. ka kërkuar nga shtetasi Qerim Krasniqi që t’i kthehen lekët, por ai i ka thënë se do ia kthente të gjithë shumë bashkë, pasi së shpejti do i hapej llogaria bankare. Sipas kallëzueses, komunikimet me shtetasin Qerim Krasniqi kanë vazhduar deri në dhjetor dhe më pas i ndaluari Qerim Krasniqi ka shkëputur të gjitha marrëdhëniet me të, ka bllokuar kontaktet dhe ka fikur të gjithë numrat e telefonit.

Në mbështetje të pretendimeve të saj shtetasja Marian C. ka vënë në dispozicion të hetimit dhe një statement bankar mbi tërheqjet e kryera në bankë, si dhe bisedat e kryera me shtetasin Qerim Krasniqi. Në këto kushte janë kryer veprime hetimore në vijimësi nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë vendore Tiranë, ndërmjet të tjerash kërkim policor dhe njoftimi në kufi për shtetasin Qerim Krasniqi.

DËSHMIA
Më 22 prill Krasniqi ka tentuar të hyjë në territorin e Shqipërisë. Është pyetur dhe ndërmjet të tjerash shpjegon se shtetases Mariana C. i ka marrë një shumë prej 85 mijë-87 mijë euro. “Këtë shumë monetare e kam investuar në bursë (Forex). Investimin e kam kryer te një shtetas nga Maqedonia e Veriut të cilin e njoh me emrin Rinor, por që gjeneralitetet e tjera nuk i di.

Rinori pasi ka marrë këtë shumë monetare si dhe pasi më ka marrë edhe një shumë tjetër prej 32 mijë eurosh nga të ardhurat e mia, i shkëputi kontaktet dhe u zhduk. Në këto kushte, i kam shkëputur marrëdhëniet me Marianën dhe u largova nga Shqipëria”, ka thënë në dëshminë e tij 30-vjeçari.
Kontaktet ai i ka mbajtur me kallëzuesen deri më 15 janar të këtij viti, por që nuk kanë rënë dakord për kthimin e shumës pasi Mariana donte një shumë prej 50 mijë eurosh në dorë.

Ai shprehet se është i gatshëm të bëjë një marrëveshje me Marianën ku t’i kthejë një shumë prej 5 mijë eurosh në muaj, të ardhura të cilat do të vinin nga tregtimi i kriptovalutave.
Sipas dosjes hetimore, Qerimi i ka marrë dhe një shumë parash një mjekeje.
“I kam marrë një doktoreshe me emrin Imelda një shumë prej 500 eurosh pasi isha në kushte të vështira ekonomike dhe nuk ia kam kthyer këtë shumë monetare”, ka rrëfyer 30-vjeçari.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb