Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, ndaj dy shtetaseve punonjëse të postës në zonën e Devollit.
Sipas njoftimit zyrtar, procedimi penal ka nisur ndaj shtetaseve:
-P. Sh., 29 vjeçe, banuese në Bilisht, me detyrë përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë, Devoll;
-E. Ç., 27 vjeçe, banuese në Bilisht, me detyrë arkëtare-llogaritare në degën postare Devoll.
Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë vjedhur rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e postës, duke shpërdoruar detyrat që ushtronin.
Sipas policisë, 29-vjeçarja P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar dhe shpërdoruar fonde të pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre. Ndërkohë, 27-vjeçarja E. Ç. dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesat nga evidencat e librave të arkës dhe nga sistemi i menaxhimit të parave cash, me qëllim favorizimin e vjedhjes së fondeve.
