Programet e studimit nga Shkolla Ekonomike e Londrës të cilat do të nisin këtë vit akademik në universitetin “Luarasi” në Tiranë do të ofrohen për studentë shqiptarë edhe të huaj.

Zv/rektorja e “Luarasit” Ani Dasho, tha se ideja për të qenë të hapur ndaj çdo kërkese prej studentëve të huaj ishte e presidentes së universitetit “Luarasi” Fabjola Hysenbelliu dhe rektorit Ethem Ruka.

Sipa saj, prania e faqes së webit të universitetit “Luarasi” dhe qendrës ekselente në faqen e  universitetit të Londrës dhe LSE në internet, e ka bërë “Luarasin”  të aksesueshëm në të gjithë botën.

Dasho tha se deri më tani janë 30 kërkesa nga studentë jashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat po përpunohen.

“Data Science mban top listën, biznes menaxhim është programi tjetër që ka paraqitur interesa nga të huajt jashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Jemi duke menduar me presidenten e grupit Fabjola Hysenbelliu dhe rektorin Ethem Ruka për diçka të dytë. Duam të vazhdojmë me Londrën për programet master jo vetëm për fakultetin e Ekonomisë, por dhe Drejtësisë. Jemi duke punuar fort dhe duam të sjellim më të mirën”, tha zv/rektorja Ani Dasho.

Nga data 29 korrik deri më 3 gusht, maturantët që duan të ndjekin arsimin e lartë do të përzgjedhin 10 degët e studimit, mes të cilave, në u-albania do të jenë të aksesueshme dhe 3 programet e LSE.

Zv/rektorja Dasho tha se të rinjtë  mund t’i përzgjedhin të treja programet dhe më pas në universitet gjatë procesit të regjistrimit do të asistohen nga stafi duke i këshilluar për të përzgjedhur programin që dëshirojnë.

“Hapi i dytë është regjistrimi në universitetin “Luarasi” për tu regjistruar si studentë të rinj të ardhshëm dhe më pas pedagogët do ti ndihmojnë për tu regjistruar në universitetin e Londrës, për të marrë diplomat në dy universitetet”, tha Dasho.

Për t’i ardhur në ndihmë të rinjve që duan të studiojnë në 3 programet e LSE, universiteti “Luarasi” ka hapur një miniqendër brenda universitetit për të ndihmuar studentët e ardhshëm në lëndën e anglishtes, matematikës dhe statistikën.

“Pra kemi përgatitur teste që këtë vit nuk janë kufizues në aplikimin tonë. Nga viti tjetër, nuk do të jetë vetëm anglishtja kufizim por dhe matematika.

Ne këtë vit do të testojmë nivelin e tyre dhe do të shohim ku janë mangësitë, me qëllim që gjatë gjithë 3 viteve t’i ndihmojmë. Mentorimi është pa pagesë dhe do të jetë pranë cdo gjimnazisti që do të ketë nevojë për matematikën apo statistikën.

Studentët që do të aplikojnë për programet e LSE, për degën e financë, prioritet është matematika me mesatare, ekonomia (lëndë me zgjedhje) me mesatare 8  dhe anglishtja po ashtu.

Kjo ka sjellë kërkesa jo vetëm nga Shqipëria por dhe nga rajoni e më gjerë”, theksoi ndër të tjera zv/rektorja e universitetit “Luarasi” Ani Dasho.

(BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb