U zhvillua faza e dytë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, faza që ka të bëjë me testin fizik të kandidatëve që kanë kaluar fazën e parë.

Përmes një njoftimi, SPAK ka bërë të ditur komponentët e kryer sot në testin fizik, që ka qenë i përqendruar në katër pika.

Njoftimi i SPAK

Në përputhje me nenin 38, pika 2, shkronja ‘d’, të ligjit 95/2016, sot u zhvillua faza e dytë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht Testi i Aftësisë Fizike (TAF). Testimi nisi në orën 07:00 në ambientet e Njësisë Speciale RENEA në Yzberisht, Tiranë.

Shtatë kandidatët pjesëmarrës ishin njoftuar më herët për modalitetet e zhvillimit të testit dhe përfunduan të gjithë komponentët përbërës të tij.

Testi synonte vlerësimin e forcës fizike dhe rezistencës:

  • Numrin maksimal të palosjeve (në një minutë);
  • Sprintin 300 metra, (i matur me kohë)
  • Numrin maksimal të pompave (pa kufizim kohor)
  • Vrapin 2.4 km, (i matur me kohë).

Zhvillimi i testit u monitorua nga një ekip mjekësor për të vëzhguar mbarëvajtjen e tij.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, për të garantuar transparencën dhe ruajtjen e standardeve të procesit.

Pas përfundimit të kësaj faze, do të vijohet me fazën e tretë, e cila konsiston në zhvillimin e një eseje me shkrim dhe testit të arsyetimit logjik.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb