Një 8-vjeçare nga Japonia, e cila ishte pjesë e një grupi të rinjsh të muzikës pop, ka ndërruar jetë vetëm pesë ditë pasi kishte performuar në një koncert. Hirata Runa, nga Nagoya, ndërroi jetë më 25 shtator, rreth orës 04:00 me kohën lokale. Lajmi u bë i ditur nga familja e saj përmes një postimi në rrjetin social X. Runa ishte anëtare praktikante e grupit japonez të vajzave DIANNA Project. Agjencia e talenteve që e përfaqësonte konfirmoi më 28 shtator se 8-vjeçarja kishte humbur jetën për shkak të miokarditit të shkaktuar nga gripi.
“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë se Hirata Runa ka ndërruar jetë për shkak të miokarditit të shkaktuar nga gripi”, deklaroi DIANNA Project, duke shprehur mirënjohjen për fansat dhe të gjithë personat që e kishin mbështetur. Agjencia u kërkoi gjithashtu mediave dhe publikut që të respektonin familjen në zi dhe të shmangnin pyetjet personale apo kërkesat për intervista lidhur me vdekjen e vajzës. Runa kishte performuar për herë të fundit më 20 shtator, vetëm pesë ditë para se të ndërronte jetë. Pas koncertit, ajo kishte publikuar në X një fotografi ku shfaqej duke buzëqeshur dhe kishte shkruar: “Faleminderit edhe për sot, e vlerësoj shumë. Ishte shumë argëtuese”.
Miokarditi është një inflamacion i muskulit të zemrës, i cili mund të ndikojë në aftësinë e zemrës për të pompuar gjakun. Sipas burimeve mjekësore, gjendja mund të shoqërohet me dhimbje në gjoks, vështirësi në frymëmarrje dhe rrahje të shpejta ose të çrregullta të zemrës. Funerali i 8-vjeçares u zhvillua në një rreth të ngushtë familjar, me pjesëmarrjen e të afërmve të saj. “Runa kaloi një të tretën e jetës së saj si idhull, ju lutem ruajini një vend në zemrën tuaj për të”, shkroi familja e saj në X, duke falënderuar gjithashtu artistët e tjerë, fansat, agjencinë dhe të gjithë ata që kishin qenë pjesë e jetës së saj.
