Stuhitë e fuqishme dhe reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar të paktën pesë viktima në Meksikë, ndërsa disa persona rezultojnë të zhdukur dhe shumë zona bregdetare të Paqësorit janë përballur me përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëme të mëdha materiale.
Uragani “Simon”, i kategorisë së dytë, ka goditur me erëra të forta dhe reshje intensive bregdetin perëndimor të Meksikës. Edhe pse qendra e tij ka qëndruar larg tokës, shirat dhe erërat e fuqishme kanë përfshirë disa komunitete pranë Puerto Vallartës, duke rrëzuar pemë, dëmtuar linjat elektrike dhe përmbytur banesa e rrugë.
Në shtetin Baja California, ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet për personat e zhdukur në qytetin bregdetar Ensenada, ku përmbytjet kanë marrë me vete automjete dhe kanë dëmtuar shtëpi. Të paktën katër persona kanë humbur jetën si pasojë e ciklonit post-tropikal “Rachel”, mes tyre një vajzë 13-vjeçare, dy gra dhe një djalë katërvjeçar.
Gjashtë persona të tjerë rezultojnë të zhdukur, katër në Ensenada dhe dy në San Felipe. Rrëshqitjet e dheut dhe dalja e lumenjve nga shtrati kanë izoluar disa komunitete, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.
Mes të shpëtuarve, 22 shtetas të huaj
Ushtria meksikane ka shpëtuar me helikopter 32 persona, të cilët kishin mbetur të bllokuar në një fermë në Ensenada. Mes tyre ishin 22 shtetas të huaj, përfshirë shtetas gjermanë dhe amerikanë, si dhe disa misionarë. Operacioni u zhvillua në kushte të vështira, për shkak të përmbytjeve dhe dëmeve të shkaktuara nga moti ekstrem.
Guvernatorja e Baja California-s, Marina del Pilar Ávila, bëri të ditur se rreth 14 mijë efektivë dhe punonjës të institucioneve federale e shtetërore janë angazhuar për të ndihmuar banorët e prekur dhe për të përballuar situatën emergjente.
Alarm për përmbytje të reja dhe rrëshqitje dheu
Në jug të vendit, uragani “Simon” ka shkaktuar dëme të shumta në shtetin Guerrero, përfshirë zonën e Acapulcos. Erërat e forta kanë rrëzuar pemë dhe shtylla elektrike, kanë bllokuar rrugë dhe përmbytur banesa.
Guvernatorja e Guerrero-s, Evelyn Salgado, konfirmoi vdekjen e një 71-vjeçari në kryeqytetin e shtetit, Chilpancingo, pasi një mur u shemb si pasojë e motit të keq.
Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve në SHBA, deri të hënën në mbrëmje, “Simon” kishte erëra të qëndrueshme me shpejtësi deri në 155 kilometra në orë. Parashikimet paralajmërojnë se stuhia mund të ruajë fuqinë gjatë pjesës më të madhe të javës, ndërsa autoritetet kanë ngritur alarmin për përmbytje dhe rrëshqitje dheu me rrezik për jetën. Një goditje e mundshme e drejtpërdrejtë në tokë pritet të premten.
Në Puerto Vallarta, përmirësimi i përkohshëm i motit ka mundësuar rihapjen e disa dyqaneve, por aeroporti ndërkombëtar ka pezulluar operacionet deri të martën në mëngjes. Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën, pasi drejtimi i stuhisë mbetet i pasigurt.
Ndërkohë, në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara, shumica e paralajmërimeve për përmbytje janë hequr pas vërshimeve të shkaktuara gjatë fundjavës nga mbetjet e stuhisë tropikale “Rachel” në Las Vegas.
