Kandidati për deputet i LSI, Aldi Fusha i është përgjigjur kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj pasi ky i fundit akuzon se djali i një ish-prokurori si Petrit Fusha do të bëhet pjesë e Kuvendit.

Aldi Fusha  thotë se babai i tij i ka shërbyer me përkushtim vendit si prokuror dhe avokat, teksa tregon edhe rastin e vajzës së ish-prokurorit Xhevat Hana që do të kandidojë nga ana tjetër për PS.

Fusha thotë ky është maksimumi i akuzave të Veliajt, teksa shton se kryebashkiaku i Tiranës duhet të pastrojë njollën mbi emrin e tij.

 

STATUSI NGA ALDI FUSHA

Kështu u alarmua sot kryetari i bashkisë së Tiranës në retorikën e rradhës, tek fliste për përgjimet e “Ndrangheta”-s, për të cilat ai e ka të zorshme të shpjegojë pse i del emri në biseda mafiozësh.

Zoti kryetar i bashkisë,

unë jam Aldi Fusha, jam 30 vjeç, kam punuar si shumë të tjerë në administratë, deri kur hakmarrja e Rilindjes më hoqi sapo mori vesh që iu bashkova ekipit të LSI-së.

Unë jam djali i Petrit Fushës dhe jam krenar për këtë. Babai im ka qenë prokuror i shtetit per 32 vite,sot avokat, por ai është një qytetar i lirë që i ka shërbyer me dekada vendit me përkushtim.

Nuk shkruhet askund se djali i një ish-prokurori nuk mund të kandidojë për deputet, apo jo?

Sot, mësova se vajza e një ish-prokurori të nderuar, Xhevat Hana do kandidojë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.

A përbën kjo mëkat e krim në këndvështrimin tënd? Apo ju i ndani shërbëtorët e shtetit në “tanët” dhe “të tyret”?!

Zoti kryetar,

unë të falenderoj që ma përmend emrin çdo dy ditë sepse një fjalë thotë, nuk ka reklamë të keqe.

Por, ngaqë s’di ç’të thuash, maksimumi i sulmit që mund të më bësh është i tipit “është djali i…”

Zoti kryetar,

unë nuk kam shitur fiq dhe nuk kam prenotuar kalanë e Gjirokastrës për të bërë dasmën. Gjithashtu, emri im nuk del në përgjimet e mafias italiane, siç del emri yt.

Para se të përpiqesh të hedhësh baltë mbi jetën dhe punën e njerëzve të tjerë, shif pastro njollën mbi emrin tënd që s’ka lavatriçe të “Ndrangheta”-s që e merr përsipër.

Kaq për sot.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb