MAQEDONI- Petrit Saraçini, njeri prej organizatorëve të protestës antiqeveritare të mbajtur dy ditë më parë në Shkup, është shprehur se ky tubim ishte organizuar nga shoqëria civile. Në një intervistë për TV Rrokum ai ka theksuar se elita politike shqiptare merret më shumë me interesa personale, duke shtuar se ata janë servilë ndaj politikave të Gruevskit.

Siç shkruan “Telegrafi”, Saraçini është shprehur se partitë në Maqedoni vetë shkaktojnë incidente, siç ishte rasti i ndërtimit të kishës.

“Natën partia e Gruevskit e ndërtonte kishën për të nxitur ndjenjat nacionaliste të maqedonase, derisa BDI, si servile e tyre thoshte me rrëzue për të fituar vota te shqiptarët”.

Duke u shprehur se mediat në Maqedoni, nuk janë të pavarura, por të politizuara, Saraçini shton se “Maqedonisë duhet t’i kthehen postulatet e demokracisë, si: gjyqësori, administrata, e ku shoqëria civile shqiptare duhet ta japë kontributin e madh”.

Saraçini ka paralajmëruar se shoqëria civile do të organizohet deri në atë masë, “sa që do ta marrë politikën shqiptare në dorë, ku do ta aktivizojë krejt elitën politike shqiptare e cila deri më tash ka qenë e lënë pas dore”.

Sipas Saraçinit, partitë shqiptare, BDI e PDSH janë “dashnore të Gruevskit”, duke shtuar se njëra del hapur, kurse tjetra fshehurazi në krah të Gruevskit.

“Pa shqiptar nuk do të ketë shtet të Maqedonisë”, tha ai, duke theksuar se shqiptarët që janë bërë bashkë me Zaevin për ta rrëzuar Qeverinë do të jenë të barabartë në realizmin e të drejtave qytetare dhe nacionale.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb