Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila është e pandehur nga SPAK dhe për të cilën Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin. Koçi komentoi gjithashtu dosjen e AKSHI-t dhe elementë të tjerë të zbuluar së fundmi nga drejtësia.
Sipas Koçit, kur vihet në diskutim integriteti moral i një figure të lartë qeveritare, kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë moral dhe politik te mazhoranca. Ai theksoi se situata rëndohet edhe më shumë nga afera e AKSHI-t dhe zhvillimet skandaloze që lidhen me individë të përfshirë në përfitime tenderash në këtë institucion.
“Kur vihet në diskutim integriteti moral i një figure në qeveri, kjo ndikon moralisht. Këtu ka qëlluar edhe afera e AKSHI-t dhe zhvillimet skandaloze që lidhen me personazhe që kanë përfituar tendera në këtë institucion,” u shpreh Koçi.
Megjithatë, ish-deputeti socialist vlerësoi se, pavarësisht dëmit të mundshëm politik për mazhorancën, këto zhvillime përbëjnë një fitore të madhe për drejtësinë dhe interesin publik. Ai veçoi si tepër të rëndësishme zbulimin e mesazheve të Evis Berberit dhe regjistrimet e zbuluara nga zyra e Ergys Agasit.
“Unë mendoj se, pavarësisht dëmit që mund të ketë mazhoranca, ka qenë një fat i madh për drejtësinë dhe interesin publik zbulimi i mesazheve të Berberit dhe regjistrimeve të zyrës së Ergys Agasit,” deklaroi Koçi.
Sipas tij, këto zbulime janë thelbësore për funksionimin e një drejtësie më efikase dhe më të besueshme, edhe pse në afat të shkurtër mund të kenë kosto politike për Partinë Socialiste.
“Këto janë zbulime shumë të rëndësishme për një drejtësi që po bëhet më efikase, ndonjëherë pikërisht falë këtyre ngjarjeve,” përfundoi Koçi.
