Shefi i Pentagonit, Pette Hegseth, vizitoi sot, zonën e çmilitarizuar në kufirin mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, duke u bërë zyrtar i parë amerikan i Mbrojtjes që shkel në këtë zonë pas tetë vitesh.

Ministri korean-jugor i Mbrojtjes, An Gyu-bak, e shoqëroi homologun e tij amerikan në Panmunxhon, pika e vetme kufitare ku ushtarët e Koresë së Jugut dhe të Veriut qëndrojnë përballë njëri-tjetrit.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut, të dy ministrat “ripohuan forcën e aleancës së tyre mbrojtëse dhe bashkëpunimin e ngushtë midis Koresë së Jugut dhe SHBA-ve”.

Gjatë takimit, An dhe Hegseth pritet të diskutojnë për gatishmërinë mbrojtëse ndaj Koresë së Veriut, si dhe për bashkëpunimin mes Uashingtonit dhe Seulit në fushën e sigurisë rajonale dhe mbrojtjes kibernetike, thuhet në njoftim.

Ata gjithashtu do të trajtojnë planet e përbashkëta për t’u përballur me një mjedis sigurie që po ndryshon, si dhe rreziqet e reja që kërkojnë forcimin e lidhjeve dypalëshe.
Uashingtoni po shqyrton mënyra për të bërë më fleksibël rolin e 28.500 trupave amerikane të vendosura në Korenë e Jugut, me synimin për të ruajtur ekuilibrin e forcave në Azi, mes ankthit për veprimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe rreth Tajvanit.

Zyrtarë amerikanë kanë theksuar se po hartohen plane për të bërë forcat amerikane më të lëvizshme, në mënyrë që të mund të veprojnë edhe jashtë gadishullit korean, për t’u përgjigjur ndaj një game më të gjerë kërcënimesh, përfshirë mbrojtjen e Tajvanit dhe frenimin e ndikimit ushtarak në rritje të Kinës.

Vizita e Hegseth vjen pas turit aziatik të presidentit amerikan Donald Trump javën e kaluar, gjatë të cilit ai shprehu dëshirën “të takohet sërish me udhëheqësin korean-verior Kim Jong-un”.

Trump ishte takuar me Kim në qershor të vitit 2019 në Panmunxhon, gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, duke u bërë presidenti i parë amerikan në detyrë që kalonte kufirin dhe hynte për pak në territorin e Koresë së Veriut, përpara se të kthehej në zonën e çmilitarizuar.
Përpara asaj takimi, ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis kishte vizituar zonën e çmilitarizuar në tetor të vitit 2017.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb