Kryeministri Edi Rama foli në mbledhjen e grupit parlamentar te Partisë Socialiste ku u prezantua nisma ligjore për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, sa i përket pezullimit të zyrtarëve të lartë.

Ai u shpreh se është e papranueshme që anëtarët e kabinetit të pezullohen me vendim prokurori apo gjykatësi, referuar rastit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Boshllëku ndodhet në trutë e atyre që nuk i dhanë drejtim bazuar në frymën e Kushtetutës dhe modelin e ndarjes së pushteteve në të gjithë planetin. Natyrisht kur them boshllëku kam parasysh jo persona të veçantë por kulturën e dobët demokratike dhe të shtetit ligjor që ka Shqipëria për shkak të traditës. Ai që e bën të pa pranueshëm pezullimin nga një prokurori dhe gjykatës në një seancë paraprake pa nisur ende gjyqi për një anëtar të kabinetit qeveritar, është fakti që pezullimi nuk cënon personin. Pezullimi cënon funksionin. Funksioni që solli në vëmendjen tuaj kreu i Komisionit të Ligjeve si pjesë e këtij grupi nismëtar për ndryshim. Janë funksione që nuk zbatohen dot pa personin. Nuk pezullohet vetëm vajtja në punë e një individi, por puna e institucionit. Ajo ministri nuk ka më kapacitet të propozojë asgjë në Këshillin e Ministrave. Kaq duhet të mjaftonte për të mbyllur një debat absurd dhe të mos hidheshin 100 vetë pas një budallai që hodhi një gurë në lumë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb