Juristi Franc Nuri, i ftuar në studion e News24, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për kundërshtimin e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku, masë e kërkuar nga SPAK dhe e vendosur nga GJKKO.
Sipas Nurit, procesi i vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese ka qenë i pazakontë dhe i paprecedentë. Ai theksoi se gjykata është mbledhur tri herë dhe ka zhvilluar rreth 10 orë diskutime përpara se të arrinte në një rezultat përfundimtar 4 me 4, që çoi në rrëzimin e kërkesës së qeverisë.
“Ky është një vendim i sforcuar dhe mendoj i marrë nën presion. Gjykata nuk e zgjidhi thelbin e çështjes, pra nuk dha një përgjigje të qartë nëse GJKKO ka ose jo të drejtë të pezullojë një anëtar të qeverisë”, u shpreh Nuri.
Megjithatë, me këtë vendim, sipas tij, ka rimarrë fuqi ligjore vendimi i shkallës së parë i GJKKO-së, duke lënë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut nga funksionet e saj si zv/kryeministre dhe ministre. Për rrjedhojë, Balluku nuk lejohet të ushtrojë funksione shtetërore dhe të paraqitet në zyrat e institucionit për sa kohë masa mbetet në fuqi.
Juristi vuri në dukje se SPAK ka kërkuar një masë edhe më të ashpër, duke depozituar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku, me qëllim arrestimin e saj. Sipas tij, kjo kërkesë është paraqitur në fillim të dhjetorit, por prej rreth dy muajsh nuk është shqyrtuar.
“Ka urgjencë në këtë proces, pasi ekziston rreziku i prishjes së provave. Pa heqjen e imunitetit, nuk mund të kryhen kontrolle banese, automjetesh apo telefonash. Pas dy muajsh vonesë, edhe vetë kontrolli humbet kuptimin”, theksoi Nuri.
Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin politik ndaj çështjes, duke deklaruar se në një shtet normal, Balluku do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen. Sipas tij, kryeministri jo vetëm që e ka mbrojtur atë publikisht, por ka paralajmëruar edhe ndryshime ligjore.
“Është e pakonceptueshme që të ndryshohen ligje për raste individuale, sidomos për një vend që pretendon integrimin në Bashkimin Europian”, përfundoi juristi Franc Nuri.
