Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo, ka komentuar në News24 vendimin e Departamentit të Shtetit amerikan, i cili ka vendosur Shqipërinë në listën e vendeve për të cilat janë pezulluar përpunimet e vizave të emigracionit.

Bimo e ka cilësuar përfshirjen e Shqipërisë në këtë listë si një sinjal shqetësues, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për shtete si India apo Kina, të cilat janë rivale gjeopolitike të SHBA-ve. “Aleanca me SHBA-të është më shumë një vijë imagjinare që përpiqemi t’i mbushim mendjen vetes se jemi aleatë,” tha ai.

Ish-ambasadori theksoi se një nga faktorët që ka ndikuar në vendimin amerikan është përdorimi i sistemit të ndihmës sociale nga një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve në SHBA, duke bërë të pavlefshme imazhin e emigrantit të përgjegjshëm. “42% e shqiptarëve përdornin sistemin e ndihmës sociale në SHBA. Bashkatdhetarët që nuk kanë punuar, por kanë jetuar në kurriz të të tjerëve, penalizojnë sot shqiptarët në Shqipëri,” u shpreh Bimo.

Sipas tij, kjo situatë duhet të shërbejë si paralajmërim për vendin, duke rritur elementet sovraniste dhe forcimin e identitetit kombëtar, i cili, sipas tij, ka ardhur duke u tkurrur vitet e fundit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb