Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i ftuar në studion e “News24”, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, të dekretuara më herët nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Sipas Kumes, vendimi i Kushtetueses për të pezulluar dekretin presidencial është një veprim parandalues, që synon të shmangë pasoja të pariparueshme, për sa kohë ende nuk është gjykuar padia e bërë nga ish-kryebashkiaku Erion Veliaj kundër vendimit për shkarkimin e tij.
“Kushdo që bën një padi, e shoqëron atë me kërkesën që të mos veprohet derisa të merret një vendim gjyqësor. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të Presidentit për zgjedhjet në Tiranë për të mbrojtur nga pasoja të mundshme të pariparueshme, duke qenë se ende nuk është shqyrtuar ankimimi i Veliajt,” u shpreh Kume.
Ai bëri me dije se më 31 tetor do të nisë shqyrtimi gjyqësor i padisë së Veliajt lidhur me shkarkimin e tij, dhe në varësi të vendimit që do të marrë gjykata, janë të mundshëm dy skenarë: zhvillimi i zgjedhjeve të reja pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ose mosmbajtja e zgjedhjeve, duke e lënë gjendjen aktuale të pazgjidhur deri në zgjedhjet e radhës në vitin 2027.
Kume theksoi se situata e krijuar është komplekse dhe ka nevojë për zgjidhje të kujdesshme institucionale, duke respektuar procedurat ligjore dhe vendimet e gjykatës si autoriteti më i lartë interpretues i Kushtetutës.
