Nga: ERMELINDA HOXHAJ*TIRANE-Maturantët i kanë të gjithë kompo nentët për të bërë llogaritjen e pikëve që ata mund të marrin në degët që preferojnë të ndjekin studimet e larta. Mesataren e viteve të gjimnazin ata e kanë nxjerrë që me plotësimin e Formularit A1, po ashtu edhe të dhënat e tjera i kanë gati, pasi kanë dalë rezultatet e të katër provimeve të Maturës Shtetërore. Koeficientin e shkollës së mesme dhe të lëndëve të që kanë dhënë si provim me zgjedhje i kanë të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit (www.arsimi.gov.al) si dhe në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimit (www.akp.gov.al).

Tashmë çdo maturant llogaritë se sa pikë fiton nga rezultatet që ka arritur. Po ashtu, në bazë të lëndëve që ata kanë dhënë si provim me zgjedhje e kanë edhe më të lehtë të përcaktojnë 10 degët ku dëshirojnë të garojnë për të fituar një të drejtë studimi në universitetet publike. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se në mbledhjen e javës që vjen qeveria do të miratojë kuotat e pranimeve për vitin e ri akademik 2015-2016 dhe pas miratimit të kuotave do të publikohet dhe formulari A2, por nuk ka bërë publike asnjë të dhënë nëse do të ketë reduktim të kuotave siç pati vitin e shkuar. Sipas burimeve pranë MAS, është konfirmuar se niveli i pranimeve të studentëve të vitit të parë do të jetë i njëjtë me vitin e shkuar, pra rreth 19 mijë studentë. Më poshtë maturantët kanë mundësi të shikojnë se cilat fakultete favorizohen në lidhje me lëndët që ata kanë dhënë si provim me zgjedhje.
LËNDËT ME ZGJEDHJE
Pranimet në universitetet publike bëhen në bazë të preferencave që listojnë kandidatët në formularin A2, i cili pritet të dalë brenda mesit të muajit korrik. Nga të dhënat e provimeve me zgjedhje, 97% e maturantëve kanë zgjedhur një lëndë shoqërore, ku mes tyre mbizotëron Qytetaria, pasi është përzgjedhur nga rreth 58% e maturantëve dhe kryesisht maturantë të shkollave profesionale. Gjuha e huaj vijon të jetë një lëndë e preferuar nga maturantët, pasi e kanë përzgjedhur 35% e tyre. Kryeson Anglishtja, e cila është përzgjedhur nga rreth 11 mijë maturantë, pasi kjo lëndë vlerësohet në të gjitha universitetet me një koeficient 1.3. Një numër shumë i madh i maturantëve, rreth 30% e tyre, kanë përzgjedhur si provim me zgjedhje lëndë shkencore, në këtë grup kryeson Matematika e thelluar, e cila është zgjedhur nga 10% e maturantëve, pra është përzgjedhur nga rreth 4500 maturantë. Një degë shkencore në universitet përcakton një lëndë të caktuar, por vlerëson më shumë ato të thelluara, pasi për to edhe koeficienti është maksimal, 1.4. Ndaj edhe maturantët në ndarjet e tyre vihet re se u kanë dhënë më shumë rëndësi lëndëve shkencore të thelluara, pasi ka gati një dyfishim të atyre që kanë zgjedhur mes një lënde bërthamë dhe atyre që kanë zgjedhur një lëndë të thelluar.

Biologjinë bërthamë e kanë zgjedhur 1781 maturantë, Biologjinë e thelluar e kanë zgjedhur 2661 maturantë. Maturantët që kanë zgjedhur Biologjinë dhe Kiminë kanë më shumë mundësi të fitojnë në Universitetin e Mjekësisë, por edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës. SI TË LLOGARISNI PIKËT Përllogaritja e pikëve për hyrjen në universitetet publike të maturantit bëhet si më poshtë: Shënojmë me M, D1, D2, Zi dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme, vlerësimet në lëndët e detyruara dhe në ato me zgjedhje. Shënojmë me K koeficientin e shkollës të përcaktuar nga universitetet publike. Shënojmë me F1, F2 koeficientet e lëndëve me zgjedhje të përcaktuara nga universitetet publike. Llogaritja e shumës S të pikëve të maturantit do të bëhet me formulën: S={[26*M+20* (D1+D2)]*K+17*(Z1*F1+Z2* F2)}*5. Në llogaritjen e pikëve kandidatët duhet të përdorin vetëm notën e përshkallëzuar.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: