Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji nga foltorja e Kuvendit e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se lëshoi ruspat në një aksion të paligjshëm të IKMT-së mbi “Prestige Resort” për shkak të inateve personale.

Ai gjithashtu theksoi se kryeministri e mori vendimin për të ndërhyrë duke shembur dy pishinat dhe pistën e resortit prestigjioz në Golem për shkak se nuk ka mundur të nënshtrojë drejtëpërdrejtë mediat në pronësi të “Focus Media Group”.

E gjithë kjo sipas Salianjit vjen në një kohë kur në mes të Tiranës, te sheshi “Skënderbej” siç vetë Rama e tha në mbledhjen e djeshme është ndërtuar një pallat me plot 9 kate pa leje, ndërsa në kodrat e Liqenit lulëzojnë ndërtesat shumëkatëshe.

“Për inate personale ashtu siç shpesh e ka thënë ky kryeministër. Ka thënë dilni këtu dhe merreni në foltore me emra personalë. Me emra personalë do merremi se nominalisht bëhen ndërtimet pa leje. Se del këtu dhe përmend sot emrat e pronarëve të medias, a thua se do kompleksojë opozitën që mbron dhe duhet të mbrojë edhe më shumë lirinë e medias në këtë vend, për shkak të turrjes që i bën qeveria jo vetë në një biznes, por në çdo biznes sapo shikon që linja editoriale që nuk e nënshtron dot me mënyra të tjera të përfitimit të drejtpërdrejtë. Ja kjo është situata sot, dhe qeveria bën një vendim, praktikisht pasi bën vendimin për të legalizuar ndërtimet e oligarkëve, siç është një pallat atje me 9 kate pa leje ngjitur me sheshin “Skënderbej”, me miliona euro. Qeveria nuk po i çon për ndjekje penale, s’po i vendos gjoba, por po i thotë oligarkëve tani që i ndërtuat paguani ca lekë legalisht për qeverinë dhe t’i gëzoni këto. Kur vjen puna për pishinë, pishina duhet shembur, katet pa leje në mes të Liqenit dhe në Tiranë, ato jo nuk duhen shembur, ato duhen. Ne do kemi një aksion siç kemi patur për ndërtimet pa leje, dhe jo në mënyrë të përzgjedhur siç ia ka qejfi kryeministrit. Ju nuk keni sy e vesh për t’i dëgjuar qytetarët, qytetarët nuk po ju shohin dot më as me sy dhe as bojën, duke hipur në gomone dhe duke paguar miliona lekë e mijëra paund për të ikur nga Shqipëria. Asnjë fjalë nuk kishte për të rinjtë, prioritet i madh, asnjë fjalë, jo ndihmë reale. A thua se nuk ekzistojnë. Thoni po rrisim pagat për administratën se po vijnë zgjedhjet lokale. U jepni 50 mijë lekë policëve ndërkohë që duhet t’i jepni shumë më shumë para. Janë njerëz të thjeshtë edhe ata policët që rrinë aty rrugëve dhe rregullojnë trafikun, dhe në vend të kap polici kriminelin e kap krimineli atë dhe rrinë të dy rrugëve. E panë të gjithë shqiptarët sesi më i kërkuari vinte rrotull në qytetet më të mëdha të këtij vendi”, tha Salianji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb