Ish-zëvendësdrejtoresha e AKSHIT, Hava Delibashi kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë në GJKKO. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Delibashi aktualisht është në masën e ‘arrestit në shtëpi’.
Ish-zyrtarja e AKSHIT është pjesë e të njëjtës dosje me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin.
Hetimi lidhet me operacionin e SPAK, i cili goditi një grup të dyshuar kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në kuadër të këtij operacioni, janë shpallur në kërkim edhe Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Masa e arrestit në shtëpi ndaj Mirlinda Karçanaj (bashkë me Hava Delibashin) u caktua nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më 18 dhjetor 2025, pasi SPAK kishte kërkuar masat e sigurisë disa ditë më herët për skandalin e abuzimeve me tenderat në AKSHI.
