TIRANE- Partia Kristian-Demokrate nëpërmjet një deklarate për mediat, shprehet se po ndjek më vëmendje procesin ndaj kreut të saj, Mark Frrou, ndërsa i kërkon drejtësisë t’i shmanget presioneve politike. SipaPKD-së, është PD-ja forca politike që po shpif për të shantazhuar drejtësinë dhe për të dëmtuar PKD-në në prag të zgjedhjeve lokale.
“Partia Kristian-Demokrate po ndjek me vëmendje procesin gjyqësor ndaj kryetarit të saj, z. Mark Frroku, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe gjejmë rastin ti bëjmë apel drejtësisë që t’i shmanget presioneve politike. Ne besojmë në integritetin, pavarësinë dhe profesionalizimin e trupës gjyqësore.
Deputeti Mark Frroku ka shprehur publikisht vullnetin dhe gatishmërinë për tu vënë në dispozicion të drejtësisë dhe i ftojmë të gjithë që të tregojnë durim, të presin dhe të respektojnë verdiktin e saj. PKD i bën thirrje PD-së që të tregojë vetëpërmbajtje dhe respekt ndaj vendimeve të gjykatave. Ne distancohemi nga qëndrimet dashakeqëse të disa segmenteve brenda opozitës, të cilat ne, si forcë politike, i interpretojmë si strategji shantazhuese që po i bëhet drejtësisë dhe si një fushatë përbaltje ndaj alternativës kristian – demokrate.
PKD-ja sqaron më tej se: “Këto sulme synojnë të dëmtojmë PKD-në dhe elektoratin e saj në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Prandaj, iu bëjmë thirrje anëtarësisë dhe mbështetësve të forcës tonë politike që të mos bien pre e këtyre presioneve politike. PKD është e angazhuar maksimalisht për të garuar në zgjedhjet elektorale, duke marrë pjesë në 61 njësi vendore në të gjithë vendin”
Më tej, PKD përshëndet vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimeve e Rënda për shpalljen të pafajshëm dhe lirimin e biznesmenit Arben Frrokut, ndërsa iu bën thirrje të gjitha forcave politike që t’iu ofrojnë shqiptarëve programe dhe alternativa për mirëqeverisjen e pushtetit vendor, duke hequr dorë nga fushata politike denigruese ndaj individëve dhe subjekteve politike parlamentare.
“Partia Kristian-Demokrate është e vendosur në realizimin e programit të Aleancës për Shqipërinë Europiane, të cilin e mbështetën dhe votëbesuan shqiptarët më 23 qershor 2013 për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë në BE”, përfundon deklarata.
