Pas më shumë se 40 vjetësh lufte të armatosur kundër shtetit turk, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) ka marrë vendimin historik për t’u shpërbërë, sipas një raportimi nga agjencia e lajmeve Firat, e cila njihet për afërsinë e saj me këtë grup. Ky vendim vjen pas një kongresi të mbajtur nga PKK në veri të Irakut dhe pas thirrjes që bëri në muajin shkurt lideri i saj i burgosur, Abdullah Oxhallan, për t’i dhënë fund kryengritjes.
Shpërbërja e PKK-së pritet të sjellë ndryshime të mëdha në ekuilibrin politik dhe të sigurisë në rajon, veçanërisht në Siri, ku grupet kurde janë partnerë të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara.
Deri tani, autoritetet turke, përfshirë presidencën dhe Ministrinë e Jashtme, nuk kanë komentuar publikisht për këtë zhvillim. Konflikti që nisi në vitin 1984 ka shkaktuar më shumë se 40.000 viktima. PKK-ja vazhdon të konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.