Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë ka depozituar sot në Kuvend një projektligj për uljen e çmimit të karburanteve, një iniciativë që synon mbrojtjen e buxheteve familjare dhe lehtësimin e kostos së jetesës për qytetarët shqiptarë.

Sipas Tedi Blushit, kreut të grupit parlamentar, projektligji është pjesë e një serie nismash me karakter social, pas dy projektligjeve të mëparshme për uljen e TVSH-së për produktet e shportës dhe për sigurinë ushqimore, të cilat sipas tij u rrëzuan nga mazhoranca aktuale.

Blushi theksoi se situata e çmimeve të karburanteve në Shqipëri është e rëndë, duke pasur parasysh se çmimet lokale janë ndër më të lartat në rajon, ndërkohë që fuqia blerëse e qytetarëve është e ulët. Ai shtoi se mbi 60% e çmimit të karburanteve përbëhet nga taksa, akciza dhe TVSH, dhe çdo rritje reflektohet menjëherë në çmimet e produkteve bazë dhe shërbimeve.

Deklarata vjen në kontekstin e rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare si pasojë e tensioneve dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa ekspertët dhe Konfindustria parashikojnë një rritje të mëtejshme të kostos së karburanteve në vend.

Projektligji i depozituar propozon pezullimin deri në mars të vitit 2028 të “Taksës së Qarkullimit” dhe “Taksës së Karbonit”, me qëllim të zbutjes së rritjes së çmimit të naftës për familjet dhe bizneset shqiptare. Sipas Blushit, kjo nismë nuk pritet të ndikojë negativisht në të ardhurat e buxhetit të shtetit, duke qenë se të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur ndjeshëm si pasojë e rritjes së çmimeve.

Ai bëri thirrje që deputetët të mbështesin projektligjin, duke theksuar se miratimi i tij do të ndihmojë në stabilizimin e konsumit dhe funksionimin e biznesit, si dhe në lehtësimin e presionit ekonomik mbi qytetarët, sidomos mbi shtresat më në nevojë.

DEKLARATA E TEDI BLUSHIT

Një tjetër projektligj thellësisht social, pas dy nismave që kemi depozituar në Kuvend, por që fatkeqësisht u rrëzuan nga kjo mazhorancë ilegjitime dhe antisociale, sic ishte projektligji për uljen e TVSH-së nga 20% në 5% të produkteve të shportës, si dhe projektligji tjetër për sigurinë ushqimore.
Projekligji i depozituar sot për uljen e cmimit të karburanteve, është një projektligj për mbrojtjen e buxhetit të familjeve shqiptare, pasi sic dihet, një pjesë e taksave që sot rëndojnë te karburantet, janë para të cilat në letër shkojnë për mirmbajtjen e rrugëve, por që të gjithë shqiptarët po e shohin se si qeveria po i mirëmban rrugët, të cilat janë shkërrmoqur në të katërta anët e vendit.
Para të cilat, në fakt, shkojnë edhe për të paguar verën 33 mijë euro të Edi Ramës, kur ndërkohë shqiptarët e thjeshtë dhe të ndershëm mezi shtyjnë ditët me të ardhurat mizerabël.

Konflikti që ka nisur tashmë në Lindjen e Mesme edhe sipas parashikimeve të ekspertëve dhe Konfindustrisë do të sjellë një rritje të mëtejshme të çmimit të karburanteve. Ndaj në këtë kontekst, Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë, depozitoi sot projektligjin për uljen e cmimit të karburanteve, sepse jemi përpara një situate të ngjashme me atë të vitit 2022, kur nisi lufta në Ukrainë, që solli si pasojë edhe rritjen e çmimit të karburanteve dhe rrjedhimisht edhe atë të të gjitha mallrave të konsumit.

Ndaj në kushtet kur kërkohet që kjo situatë të adresohet sa më parë me zgjidhje konkrete, efektive dhe të prekshme për qytetarët, Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë, depozitoi sot këtë nismë ligjore, objektivi i të cilës është zbutja e efekteve të rënda ekonomike mbi buxhetet familjare dhe bizneset si pasojë e rritjes drastike dhe abuzive të çmimit të karburanteve dhe lëndëve djegëse.

Situata ekonomike në Shqipëri, prej shumë vitesh përballet me rritjen shumë të lartë të çmimeve të karburanteve, rritje e cila qartësisht ka qenë edhe abuzive. Për pasojë janë rënduar në mënyrë progressive dhe kritike buxhetet familjare si dhe janë krijuar probleme tepër të mëdha për bizneset, duke vështirësuar funksionimin e tyre dhe realizimin e të ardhurave, të cilat nga ana tjetër kanë rol përcaktues në buxhetin e shtetit.

Çmimi i naftës, në vlerësimin tonë, është një padrejtësi e madhe ekonomike që kjo qeveri e ushqen çdo ditë dhe që ndikon direkt në rritjen e çmimit të ushqimeve.
Dua t’ju kujtoj sot, të gjithë shqiptarëve, të cilët paguajnë sot më shtrenjtë se kudo tjetër në rajon cmimin e një litri naftë
Në Shqipëri, qytetarët paguajnë rreth 1.83 euro për litër.
Në Kosovë rreth 1.18 euro.
Në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi rreth 1.27 euro.

Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve, ndërkohë që ka pagat më të ulëta dhe fuqinë blerëse më të dobët në Europë. Kjo nuk është rastësi, por zgjedhje e qëllimshme politike.
Mbi 60% e çmimit të naftës janë taksa, akciza dhe TVSH. Çdo rritje e naftës reflektohet menjëherë në rritjen e çmimeve të ushqimeve, të transportit dhe të çdo shërbimi. Sot, qytetarët paguajnë më shtrenjtë bukën, qumështin, vajin dhe çdo produkt bazë, sepse qeveria ka zgjedhur të taksojë rëndë karburantin.

Shqetësimi më i madh i qytetarëve shqiptarë sot është kostoja e dyfishuar e jetesës në 3-4 vitet e fundit. Shqiptarët shpenzojnë 40% të buxhetit familjar për ushqim dhe paguhen më pak se të gjithë qytetarët e BE-së. Çmimet në Shqipëri janë 50% më të larta se në Europë. Në vitin 2025 sipas Eurostat, 55% e qytetarëve nuk mbyllnin dot muajin.

Në kushtet e inflacionit të lartë të viteve të fundit dhe rritjes së kostove të jetesës, sidomos në ushqime dhe energji, bëhet e nevojshme që politika fiskale të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë për të ndihmuar qytetarët.

Paga minimale në Shqipëri është jo vetëm më e ulëta në Europë, por dhe shumë më e vogël edhe në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga 1 janari, paga minimale në Shqipëri është 50 mijë lekë, ndërkohë që Mali i Zi e ka 670 euro, Serbia 618 euro, Maqedonia e Veriut 584 euro, ndërsa Bosnjë-Hercegovina 660 euro.

Situata shumë e rëndë për konsumatorët familjarë dhe bizneset kërkon ndërhyrje urgjente dhe konkrete për t’u ardhur në ndihmë atyre: së pari për të mos thelluar edhe më shumë varfërinë e tyre dhe së dyti për të bërë çfarë të jetë e mundur që biznesi të funksionojë sa më normalisht, duke mbrojtur në radhë të parë punësimin në këto biznese si dhe krijimin e të ardhurave, të cilat janë njëherazi dhe një burim themelor për arkën e shtetit.

Duke vlerësuar këtë situatë dramatike, sot Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë kemi propozuar pezullimin deri në mars të vitit 2028 të aplikimit të “Taksës së Qarkullimit’ dhe “Taksës së Karbonit’ si një mjet për zbutjen e rritjes së çmimit tepër të lartë të naftës për t’u ardhur në ndihmë buxheteve familjare dhe bizneseve.

Një propozim i tillë, nuk krijon asnjën problem në planin e të ardhurave të miratuar nga qeveria me ligjin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2026 pasi të ardhurat e realizuara në buxhet nga TVSH-ja janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten ndjeshëm si pasojë e rritjes në tërësi të çmimeve. Kjo nismë do të ndihmojë gjithashtu që konsumi i familjeve shqiptare dhe ecuria e biznesit të ketë qendrueshmëri.

Për këto arsye, shumë të rëndësishme, miratimi i këtij projektligji, të Propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë, me procedura të përshpejtuara për shkak dhe të situatës kritike është domosdoshmëri. Kjo është rruga e vetme për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset në kapërcimin e këtij momenti shumë të vështirë, ndërkohë që nisma të tilla janë ndërmarrë në vite gjerësisht në vendet e rajonit dhe më gjerë si: Kosova, Greqia, Serbia etj.
Uroj dhe shprsoj dhe kërkoj nga të gjithë deputetët të mos jenë peng i oligarkëve të naftës, port ë votojnë pro këtij projektligji, të votojnë pro interesave të familjeve shqiptare, të shqiptarëve të thjeshtë dhe për të ndihmuar në vecanti shtresat më në nevojë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb