Drejtoresha e Përgjitshme e News24, Anila Jole shprehet është e paprecedentë kjo që po ndodh me mjediset e televizionit, ku policë e ushtarakë me kamionë kanë ngarkuar sende personale të gazetarëve dhe të redaksisë, dhe i kanë marrë.
Jole thotë se është vënë në dije Ambasada Amerikane në Tiranë për gjithë këtë plaçkitje, pasi janë prekur sendet personale të gazetarëve, janë vitet e punës të tyre si dhe janë bastisur zyrat juridike dhe ato të financës, ku edhe ndodhe dosje të tëra.
Anila Jole: “Nuk e kuptoj se çfarë po ndodh, tani fola me zyrën e shtypit të Ambasadës Amerikane, i vura në dijeni, sepse më kërkuan se çfarë po ndodh. Asnjë nuk e di se cfarë kanë futur në ato kamionë. Di që janë futur në godinën e vjetër, sot pyeta efektivët që gazetarët kanë sendet e tyre personale. Më garantoi se askush nuk do t’i prekë ato. Por unë nuk arrij të kuptoj pse nuk u lejuan gazetarët të marrin gjërat e tyre.
Secili ka kompjuterin e tij, kur përveç gjërave të punës, ka edhe gjërat personale e private. Askush nuk ka të drejtë të hyjë në kompjuterin e një gazetari. Këtu ka zyra finance, zyra ligjore, janë emisione investigative, aty ka dosje që do transmetoheshin në shtator që edhe unë si drejtoreshë nuk e di. Kështu, gazetarët janë të ekspozuar nga ky aksion, duke vënë në rrezik edhe familjet e tyre.
Në këtë godinë janë zyrat juridike, janë dosjet tona të punës, librezat, të gjitha vitet e punës janë aty. Nuk e di si mund të trajtohet në këtë mënyrë një media. Tani nuk mund të besoj se nuk preket asgjë me këtë që po shoh.”
