Policia e Tropojës ka vënë në pranga Sebastjan Dollapaj, 25 vjeç, banues në fshatin Koçanaj, i dyshuar si autor i plagosjes me thikë të një 18-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ndodhur një ditë më parë në qendër të qytetit të Bajram Currit.
Sipas Hetimit të Krimeve dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, u dokumentuan rrethanat e ngjarjes së ndodhur në orët e para të datës 19 korrik 2025, ku shtetasi D. H., 18 vjeç, u plagos me mjet prerës nga Sebastjan Dollapaj.
Thika e përdorur në sulm u sekuestrua si provë materiale, ndërsa i plagosuri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Kapet dhe vihet në pranga 25- vjeçari që dyshohet se goditi me thikë 18-vjeçarin, gjatë konfliktit për motive të dobëta, ditën e djeshme në Bajram Curri.
Në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në Bajram Curri, ku u plagos me mjet prerës gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi D. H., specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan autorin e dyshuar shtetasin Sebastjan Dollapaj, 25 vjeç, banues në fshatin Koçanaj, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet ka rezultuar se në orët e para të datës 19.07.2025, në qytetin e Bajram Currit, shtetasi Sebastjan Dollapaj, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D. H., 18 vjeç, banues në Bajram Curri dhe dyshohet se e ka goditur atë me mjet prerës thikë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
18-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Kukës, për veprime të mëtejshme.
