Një përplasje e pazakontë mes dy të moshuarve ka ndodhur dje në sheshin “Pranvera” në qendër të qytetit të Durrësit, ku një debat gjatë një loje domino ka përfunduar në një plagosje me thikë.

Policia bën me dije se është arrestuar autori i ngjarjes, ndërsa menjëherë pas ngjarjes ai ka tentuar të largohet nga vendngjarja.

I plagosuri ndërkohë ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve.

Njoftimi: 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt fizik me përdorim të mjetit prerës, në zonën pranë sheshit “Pranvera”, shkuan në adresën e dhënë dhe ndërhynë në kohë reale.

Si rezultat i ndërhyrjes profesionale, Policia arrestoi në flagrancë shtetasin A. Sh., 67 vjeç, banues në lagjen nr.11, Durrës.

Arrestimi i tij u bë pasi dje, në lagjen nr. 11, Durrës, në zonën e njohur si “Lulishtja”, pranë sheshit “Pranvera”, gjatë një konflikti për motive të dobëta dhe një debati verbal me fjalë fyese, ai goditi me mjet prerës (thikë) shtetasin F. T., 70 vjeç, banues në të njëjtën lagje, duke e plagosur rëndë.

I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, në kujdesin e mjekëve.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua mjeti prerës (thikë) me të cilin u krye plagosja.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb