Policia e Tiranës ka identifikuar 3 personat që morën pjesë në plagosjen me armë zjarri të një 28-vjeçari, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Freskut, në rrugën “Thoma Filipeu”.
Si rezultat i veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë zbardhur dinamiken e ngjarjes dhe kanë identifikuar tre persona të përfshirë, autorin e plagosjes Xhonatan Qerimi dhe 2 bashkëpunëtorët e tij, Klejvis Caka (Lusha) dhe Andi Gurra.
Policia njofton se Klejvis Caka (Lusha), 26 vjeç, banues në Tiranë, është shpallur në kërkim si autori i dyshuar i plagosjes.
Ai akuzohet për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”.
Xhonatan Qerimi, 27 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.
Andi Gurra, 26 vjeç, banues në Tiranë, është gjithashtu shpallur në kërkim për të njëjtën vepër.
Sipas hetimeve paraprake, dy bashkëpunëtorët dyshohet se ndihmuan autorin e dyshuar të largohej nga vendngjarja, menjëherë pas kryerjes së plagosjes.
Grupi hetimor po vijon punën për kapjen e të shpallurve në kërkim dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)
