Gjykata ka lënë në burg dy të arrestuarit Nikolla Agolli dhe David Prifti, të akuzuar si autorë të dyshuar të plagosjes me armë zjarri pak ditë më parë të Brian Syzos, pas një konflikti me motiv hakmarrjeje.

Seanca e masës së sigurisë zgjati dy orë, u mbajt me dyer të mbyllura dhe përfundoi në orët e para të pasdites së sotme.

Burime nga gjykata bëjnë me dije se gjatë seancës për masën e sigurisë, autori Nikolla Agolli ka pranuar se ka qenë një konflikt çasti mes tij dhe Brian Syzos. Sipas dëshmisë së tij para togave të zeza, ai është shprehur se është sulmuar nga Briani dhe ka qëlluar ndaj tij për ta neutralizuar dhe që ai të ndalonte sulmin.

“Kisha mundësi ta vrisja dhe nuk e bëra”, ka thënë autori.

Sa i përket të arrestuarit tjetër, David Prifti, ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen. Sipas dëshmisë së dhënë në seancë, Davidi është shprehur se nuk ka gisht në këtë ngjarje.

Makinën e tij ja ka dhënë Nikollës dhe ka ikur me makinën e të fejuarës për në plazh. Ndër të tjera, Prifti ka thënë se ka kamera sigurie në vendet ku ka qenë, ç’ka vërtetojnë që s’ka gisht në ngjarje.

Gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e tyre, teksa në kërkim janë shpallur edhe 2 bashkëpunëtorë të tjerë.

Seanca nisi në orën 11:00 dhe përfundoi rreth orës 13:00.

Në vijim pritet të verifikohen nga prokuroria kamerat e qytetit, ndërsa momentalisht nuk ka pasur përgjigje nga ana e grupit hetimor lidhur me transkriptimin e filmimeve të kamerave të sekuestruara.

Brian Syzo mori plagë plumbi në pjesën e këmbës, teksa ngjarja ndodhi në lagjen nr. 3 në Pogradec. Autor kryesor dyshohet Agolli.

Ai ndodhej në makinën e tij fuoristradë kur u sulmua, teksa autorët e ndoqën nga Burgu i Drenovës, ku kishte vizituar të vëllanë e dënuar.

Motivi i krimit dyshohet hakmarrja, pasi vitin e kaluar vëllai i Syzos plagosi me thikë të arrestuarin Agolli dhe konfliktet kanë vijuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb