Në një operacion të gjerë policor, forcat e Policisë së Korçës arrestuan sot shtetasin në kërkim Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç. Ai ishte në arrati që prej muajit korrik, kur dyshohet se plagosi me armë zjarri dy shtetas, Gëzim Hoxhaj (32 vjeç) dhe Ernest Lama (24 vjeç), në qytetin e Sarandës.

Zoto u kap në qendër të qytetit të Korçës, teksa udhëtonte me një mjet tip “Audi”. Arrestimi u realizua me pjesëmarrjen e forcave të shumta policore, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan disa armë zjarri dhe u shoqëruan disa persona të tjerë të dyshuar.

I rrezikshëm dhe me precedentë penalë

Ramadan Zoto, i cili përdor edhe identitetin Ramadan Canaj, rezulton me precedentë të rëndë penalë. Ai është dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, dhe gjatë një incidenti me policinë greke, ka shkëmbyer zjarr me forcat e rendit. Aktualisht, ndodhet nën hetim edhe në Shqipëri, ku po përballet me një proces gjyqësor në Sarandë për akuzën “Goditje për shkak të detyrës”.

Në kërkim është shpallur edhe vëllai i tij, Erjon Canaj, 35 vjeç, i cili gjithashtu është një person me precedentë penalë. Në dhjetor 2022, ai dhunoi një roje në spitalin e Sarandës, ndërsa në shkurt 2024 u arrestua në banesë me dy pistoleta, por më vonë u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës.

Lidhja me plagosjen e fundit në Sarandë

Burime policore bëjnë me dije se një armë zjarri e llojit pistoletë, e futur në një çantë krahu, është sekuestruar në vendin ku ndodhi plagosja e dy të rinjve. Dyshohet se arma i përket njërës prej të plagosurve, konkretisht Ernest Lamës ose Gëzim Hoxhajt. Nga vendngjarja janë sekuestruar katër gëzhoja, ndërsa autori dyshohet se ka marrë armën me vete pas të shtënave.

Policia, në bashkëpunim me forcat FNSH, po vijon kontrollet intensive në zonë, ndërkohë që hetimet janë zgjeruar edhe në pista të tjera për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Gjendja shëndetësore e të plagosurve

Të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë transportuar me helikopter nga Spitali i Sarandës në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë vijojnë, ndërsa autoritetet janë të vendosura për të çuar para drejtësisë të gjithë personat e përfshirë.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: