Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas protestës masive të studentëve dhe të rinjve të zhvilluar më 24 tetor në Tiranë, duke u ndalur te plagosja në sy e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli dhe denoncimet për dhunë nga efektivët e policisë.

Në reagimin e saj, Policia bën të ditur se Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të hetimeve nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për të zbardhur rrethanat në të cilat i riu pësoi dëmtimin e rëndë në sy.

Për këtë incident kanë nisur hetimet edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Policia e Shtetit ka shprehur keqardhjen për plagosjen e 28-vjeçarit, duke i uruar shërim të shpejtë atij, si dhe qytetarëve, gazetarëve dhe punonjësve të policisë që mbetën të lënduar gjatë protestave në kryeqytet.

Ndërkohë, një tjetër rast i denoncuar në News24 mbrëmë ka sjellë pezullimin nga detyra të një efektivi të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Bëhet fjalë për inspektorin A. K., i cili, sipas njoftimit të Policisë, është shfaqur duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos respektuar parimin e proporcionalitetit gjatë ushtrimit të detyrës.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Balkanweb (@balkanweb_official)

Ndaj efektivit është nisur hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Në reagimin e saj, Policia e Shtetit shprehet se çdo rast i dyshuar i tejkalimit të detyrës do të hetohet me paanshmëri dhe profesionalizëm, duke pretenduar se respektimi i ligjit dhe proporcionaliteti në përdorimin e forcës janë parime të panegociueshme

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb