Zbardhen detaje të reja nga plagosja me armë zjarri e regjistuar në parkingun e Megatek, pranë mbikalimit të Rinasit, mesditën e kësaj të enjte.
BalkanWeb mëson se i plagosur ka mbetur Fabjo Arifaj, rreth 25 vjeç. Ai është qëlluar me një plumb në këmbë.
Ndërsa Grisjan Latifajn, 22 vjeç ka mbetur gjithashtu i lënduar, por me sende të forta.
Sherri mes të dyve mësohet se ka nisur që në Domje dhe ka vijuar deri në parkingun e qendrës tregtare, Megatek ku edhe pati të shtëna me armë zjarri.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 13:50, tek mbikalimi i Domjes, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet se është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi F. A., rreth 25 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën si dhe është dëmtuar dyshohet me sende të forta shtetasi G. L., rreth 22 vjeç, i cili po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje/dalje të kryeqytetit dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
