PRISHTINË-‘Plani për ekzekutimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mëhill Fufi’ ka shkaktuar një tronditje të madhe në skenën politike shqiptare. Por duket se skenarë të ngjashëm qenkan përgatitur dhe për në Kosovë. ‘Koha Ditore’ shkruan sot se Prokuroria e Shtetit ka një dëshmi për një plan vrasjeje me pagesë të politikanit Xhavit Halitit. Në dëshminë në formë deklarate të shkruar thuhet se vrasja ishte paguar 250 mijë euro nga Ibrahim Kelmendi, ndërsa ekzekutimin do të duhej ta kryente Florim Ejupi.

Një dëshmitar që pretendon se ka qenë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në disa vrasje, kërcënime, shantazhe e rrëmbime, është deklaruar i gatshëm të tregojë para Prokurorisë për këtë që ai e ka quajtur plan.

Dëshmitari i ka telefonuar Halitit, duke i kërkuar falje paraprakisht se ka qenë pjesë e këtij grupi. Pasi i ka treguar për këtë plan, ia ka dhënë një deklaratë të shkruar, një kopje të së cilës e ka “Koha Ditore”. Deklarata në zyrën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, është dorëzuar nga vetë Xhavit Haliti.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb