Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka folur mbi përdorimin e ishullit të Sazanit për projekte turistike, duke theksuar se zona ka një rëndësi të veçantë strategjike dhe ushtarake.

Sipas tij, çdo vendimmarrje për zhvillim duhet të marrë parasysh pozicionin gjeopolitik dhe kapacitetet natyrore të Gjirit të Vlorës.

Meçollari u shpreh se Gjiri i Vlorës ka kapacitete të jashtëzakonshme detare, duke kujtuar se historikisht, sipas dokumenteve dhe fotove të vitit 1916 gjatë periudhës italiane, zona ka mbajtur deri në 40–50 anije në spirancë. Ai theksoi se gjiri është i thellë, i mbrojtur natyrshëm nga krahët dhe nga elementë gjeografikë si Sazani dhe Karaburuni, duke ofruar mbrojtje të fortë ushtarake dhe dalje të shpejtë në Kanalin e Otrantos dhe Mesdheun Qendror.

Duke bërë krahasime me gjirin e Tarantos në Itali, Meçollari tha se ndryshe nga Taranto, i cili ndodhet jashtë Adriatikut dhe u sulmua rëndë gjatë Luftës së Dytë Botërore në vitin 1940, Gjiri i Vlorës ka mbrojtje më të garantuar nga brenda. Sipas tij, ky faktor e bën zonën edhe më të rëndësishme në aspektin e sigurisë.

Ish-komandanti u ndal edhe te porti i Durrësit, duke rikujtuar deklaratat e komandantit të NATO-s, i cili e ka cilësuar atë me qasje strategjike për aleancën. Meçollari theksoi se, në rast konfliktesh të mundshme, Shqipëria përbën një nga korridoret kryesore të lëvizjes së forcave të NATO-s, së bashku me linjat nga Europa Veriore dhe Qendrore. Ai ngriti pikëpyetje mbi kapacitetet logjistike dhe shpejtësinë e lëvizjes së trupave nëse infrastruktura strategjike do të shndërrohej vetëm në funksion turistik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb