TIRANE– Turi i prezantimit publik të draftit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë së Tiranës këtë fundjavë është ndalur në Qytetin Studenti. Nënkryetari i Bashkisë, Arbian Mazniku, i shoqëruar nga deputeti Bensik Baraj dhe kryetari i Njësisë Administrative, Elez Gjozaj, ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorët e zonës ku ka paraqitur disa nga idetë e përgjithshme që ky draft-Plan parashikon për gjithë qytetin e Tiranës, ku natyrisht “Qyteti Studenti” propozohet të jetë një nga 5 qendrat e Tiranës policentrike.
Këtë fakt e bënë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, I cili gjithashtu ka postuar edhe një album me foto nga kjo dëgjesë.
“Gjatë fundjavës u prezantua Plani i Përgjithshëm Vendor, i cili e transformon Qytetin Studenti në një qendër të re të Tiranës policentrike. Jemi në javën e fundit të vitit të parë. Arbjan Mazniku dhe Elez Gjoza te Njësia nr.2 për Tirana030”, shkruan Veliaj në ‘Facebook’. Projekti i Planit të Përgjithshëm Vendor parashikon ndër të tjera krijimin e një pylli orbital me rreth 2 milionë pemë, si krijimin e dy unazave vetëm për transport publik, këmbësorët dhe biçikletat.
(ed.me/BalkanWeb)
